Telegrafi

Rrëzoi qëllimisht aeroplanin për klikime, amerikani rrezikon të dënohet me njëzet vjet burg në Kaliforni

Prokurorët amerikanë thonë se një YouTuber, i cili me dashje rrëzoi një aeroplan për shikime, do të deklarohet fajtor për pengimin e një hetimi federal duke pastruar vendin e ngjarjes.

Trevor Jacob, 29 vjeç, publikoi videon e rrëzimit të aeroplanit në YouTube në dhjetor të vitit 2021, duke lënë të kuptohet se ishte një aksident. Ai ka mbi 2.9 milionë shikime deri më sot.

Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, ai tha se e filmoi videon si pjesë e një marrëveshjeje sponsorizimi. Ai mund të përballet me 20 vjet burg, raporton bbc.

Piloti 29-vjeçar dhe parashutisti ka rënë dakord të pranojë fajësinë për krimet e lartcekura, tha në një deklaratë të enjten departamenti i drejtësisë amerikane.

Në nëntor të vitit 2021, Jacob u largua nga një aeroport i Santa Barbaras, Kaliforni ku ishte i vetëm gjatë fluturimit me aeroplan. Së bashku me kamerat e montuara në aeroplan, Jacob mori me vete një parashutë, si dhe një shkop selfie.

Ai “nuk kishte ndërmend të arrinte destinacionin, por në vend të kësaj planifikoi të largohej nga aeroplani gjatë fluturimit duke u hedhur me parashutë ndërsa aeroplanin të rrëzohet në tokë”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Qarkun Qendror të Kalifornisë.

Aeroplani u rrëzua në Pyllin Kombëtar Los Padres 35 minuta pas ngritjes. Patenta e pilotit iu hoq vitin e kaluar. /Telegrafi/