Një zhvillim i papritur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka rrëzuar marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn për draftin final të ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Partia Demokratike kërkoi të rinegociohej për Këshillin e Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, gjë që nuk u pranua nga Partia Socialiste.
Ndërkohë gjatë pasdites u prit takimi i negociatorëve që të hënën caktuan PS, PD dhe LSI për të reflektuar ndryshimet e dakordësuara në marrëveshjen me Han. Po ashtu që prej orës 21.00 në kryesinë e Kuvendit ishin mbledhur anëtarët demokratë të Komisionit të posaçëm Parlamentar të Reformës.
Ata u rikthyen pas disa mospjesëmarrjesh në mbledhjet e fundit. Gjatë pasdites u mblodh edhe Konferenca e Kryetarëve, që vendosi se si do të menaxhohej seanca e nesërme e parlamentit.
Por kryetarët e grupeve parlamentare u përballën me faktin se në tryezën e punës nuk ka një draft që reflekton ndryshimet e dakorduara. Gjatë gjithë natës nuk pati draft të dakorduar, por vetëm deklarata të Fatmir Xhafajt dhe Oerd Bylykbashit.
Ky i fundit ka deklaruar votimi i reformës në drejtësi të enjten në Parlament është i pamundur për shkak të mosdakordësisë për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të 4 organeve të drejtësisë, përfshirë KLGJ dhe KLP.
Ndërsa Xhafaj e ka cilësuar një shfaqje të turpshme mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ku kërkohet të diskutohet edhe një pikë e draftit për Reformën në Drejtësi.
Prishja e marrëveshjes ka shqetësuar jo pak edhe SHBA dhe BE të cilët në reagimin e tyre kanë shprehur qartë zhgënjimin e tyre.
“Sërish probleme në Shqipëri? Nuk mund ta besoj! Do të presim deri në votimin e se enjtes. Më pas të shikojmë. Ndjesë!” – ka qenë reagimi në rrjetin social “Twitter” i eurodeputeti tKnut Fleckenstein, i cili ishte një nga protagonistet e arritjes së marrëveshjes.
Ndërkohë, që rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme Ambasada e SHBA deklaroi se është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. “Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”, thuhet në deklaratë.
Nuk ka vonuar shumë edhe ka ardhur edhe reagimi i PD që hedh poshtë çdo pretendim se bllokimi i ndodhur orët e fundit vjen prej saj. /TCH/