Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka konsideruar si një sjellje arrogante të Kuvendit të Shqipërisë rrëzimin e dekretit të tij për shqyrtim e ligjit për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Mazhoranca ka rrëzuar sot në Komisionin e Ekonomisë dekretin e presidentit Meta. Diskutimi në Komision u shoqërua me debate midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Disa ditë më parë, Meta riktheu për rishqyrtim ligjin, pasi sipas tij, marrëveshja shkel dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.
“Komisioni Parlamentar ka rrëzuar dekretin e presidentit për çështjen e Butrintit që është një çështje që ka të bërë me trashëgiminë tonë kulturore dhe identitetin kombëtar. Na risolli edhe njëherë një sjellje arrogante në raport me konsultimin, në raport me dëgjesën ndaj ekspertëve të fushës dhe shoqërisë civile. Ata u përjashtuan sot në një mënyrë tërësisht brutale që tregon qartë se deputetët që kanë vepruar në këtë mënyrë janë të diktuar politikisht për të ecur drejt skenarit të rrezikimit të njërës prej pasurive më të çmuara kulturore siç është Butrinti për arsye tërësisht të errëta dhe me motive më të thella sesa kaq dhe ç’kombëtarizuese”, tha kreu i shtetit në një komunikim me gazetarët.
Meta nënvizoi se deputetët t’i lexojnë të gjitha argumentet që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës.
Gjatë fjalës së tij Meta foli edhe për aferën e impainteve të plehrave, të njohura si inceneratorët.
Meta e quajti “afera e shekullit” çështjen e inceneratorëve, duke komentuar edhe publikimet e fundit për përfshirjen e personave pensionistë apo të moshuar në listën e pronarëve të kompanive që kanë kryer veprime financiare me firmat që kanë në pronësi të inceneratorëve. /Telegrafi/