Mazhoranca ka rrëzuar gjithashtu edhe dy amendamentet në projektbuxhetin 2025 të propozuara nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Bëhet fjalë për amendamentet: rritja e pensioneve duke 5-fishuar fondin e propozuar (nga 1.6 në 8 miliardë lekë) dhe parashikimi i fondeve për bonusin e vitit 2025 për pensionistët.
Bardhi propozoi që të 5-fishohej fondi për indeksimin e pensioneve dhe që të përcaktohej që tani se sa do të ishte bonusi i fundvitit për pensionistët.
Në fjalën e tij në Kuvend Bardhi akuzoi mazhorancën se përdor pensionistët për vota.
“Ngrihuni dhe na thoni sa e keni parashikuar bonusin për pensionistët në buxhetin 2025? Pas kalimit të zgjedhjeve parlamentare? Zero. Përdorni pensionistët për vota, që katër vitet e ardhshme, me votën e tyre të vidhnit ju. Ndaj për ju është e pakuptueshme vendosja e minimumit jetik. Nëse nuk ju pëlqen propozimi ynë, sillni ju propozim dhe e votojmë. Minimumi jetik duhet të jetë 200 euro. Jetojnë në ekstrem varfëri, nuk ju intereson varfëria e tyre, por luksi juaj personal, mjafton të shikoni si jeni transformuar një pjesë e juaj nga koka tek këmbët. I thoni do shohim sa lekë ngelim nga ata që vjedhim ne, dhe në fund të shohim nëse ka ndonjë lekë për të rritur pensionet. Nuk mund të talleni kështu me shqiptarët. Në vitin e ardhshëm nuk parashikon bonus si këtë vit, Rrini sot me kokën ulur, sepse nuk ju lë Rama të mbani premtimet për pensionistët, sepse e dini që nuk ka lekë sepse i kanë vjedhur këta”.
Këto deklarata të Bardhit sollën replikën e zëvevdës-kryeminisitres Belinda Balluku, sipas të cilës pensionistët po përdoreshin për narrativë politike. Ajo tha se PS ka bërë reforma shtetformuese dhe ka vendosur një fond të qenësishëm mbi 100 milionë euro për të mbuluar bonusin e fundvitit.