Site icon Telegrafi

Rrëzimi i rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, Berisha: Akti më i rëndë në historinë 30-vjeçare

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha foli sërish sot për kërkesën e opozitës për votimin e një rezolute që dënonte gjenocidin në Srebrenicë, e cila u rrëzua nga Kuvendi ditën e djeshme.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha ritheksoi se veprimi i Kuvendit të Shqipërisë ishte akti më i rëndë që ka ndodhur në historinë 30-vjeçare të vendit.

Më tej ish-kryeministri u shpreh kritik ndaj vendimit, ndërsa tha se qëndrimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ai i Kryeministrit Edi Rama ishte një qëndrim jashtë normave, një “qëndrim zuzar”.

Lexo po ashtu Pas rrëzimit të rezolutës që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë, Rama: Ishte lojë e ulët e Berishës

“Për çdo shoqëri dënimi i gjenocidit është një detyrim madhor, moral por edhe ligjor. Siç jeni dëshmitar në Parlamentit e Shqipërisë dje ndodhi akti më i rëndë në historinë 30-vjeçare të këtij vendi. Refuzimi për të dënuar me një rezolutë një gjenocid të konfirmuar nga Gjykatat ndërkombëtare, Gjykata e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, ka thënë Berisha.

Berisha shtoi se Rama dhe Balla mashtruan, kur thonë se nuk është votuar kundër rezolutës.

“Vota e djeshme ishte vota më e egër që, mund të bëhej në Parlament kundër një rezolute. Nuk është e vërtetë që u shty për më vonë. Rregullorja e Parlamentit ka përcaktime të qarta, kur një rezolutë hidhet poshtë me votë nuk mund të futet më në një afat të shkurtër kohor”, ka theksuar Berisha.

“Edi Rama deklaroi dje se fajin e ka Saliu. Duhet të jesh në stadin e primitivitetit që edhe një akt të tillë të ndërgjegjes individuale dhe njerëzore tua kalosh të tjerëve. Pa asnjë diskutim që PD do të paraqesë dora dorës dhe gjithnjë politikën e saj të jashtme dhe qëndrimet e saj. Qëndrimi ynë ndaj gjenocidit serb në Srebrenicë është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Qëndrimi i Ramës dhe i Ballës është qëndrim zuzar dhe zuzar quhet kur nuk përfill, ligj, normë dhe standard. Dënoj qëndrimin e tyre të djeshëm”, ka thënë Berisha. /Telegrafi/

Exit mobile version