Telegrafi

Rrëzimi i dronit amerikan, Irani publikon pamjet me të cilat pretendon se shfaqin momentin e shpërthimit të fluturakes pa pilot (Video)

Raportet mes SHBA-ve dhe Iranit pas rrëzimit të dronit amerikan, janë përkeqësuar si kurrë më parë.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salam, ka deklaruar se rrëzimi i fluturakes amerikane pa pilot i ka dërguar “porosi të qartë” SHBA-ve, transmeton Telegrafi.

Salami ka shtuar se Irani nuk e ka ndërmend të luftojë me asnjë vend, por pranoi se “është e gatshme për luftë”.

Lexo po ashtu SHBA-të konfirmojnë rrëzimin e dronit nga Irani, ai kushton 180 milionë dollarë (Foto)

Ndërkohë, Teherani zyrtar pretendon se posedon pamjet e momentit të rrëzimit të dronit amerikan. Sipas iranianëve ai është rrëzuar nga sistemi raketor “Khordad 3”. E droni që është rrëzuar besohet të jetë modeli “Global Hawk”.

Ndërkaq presidenti amerikan Donald Trump, sot ka thënë se rrëzimi i dronit amerikan nga ana e Iranit, ka qenë një “gabim shumë i madh“.

Në anën tjetër Washingtoni pretendon se rrëzimi i dronit ka ndodhur në hapësirën ndërkombëtare ajrore, derisa Teherani insiston se ka ndodhur brenda territorit të Iranit.

Televizioni shtetëror iranian Press TV, pretendon se videoja e publikuar e rrëzimit të dronit është e vërtetë, e në anën tjetër deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim për autenticitetin e videos. /Telegrafi/