Tre britanikë dhe 73 kanadezë ishin në mesin e 176 personave që kanë gjetur vdekjen në një aeroplan pasagjerësh ukrainas i cili u rrëzua pranë Teheranit në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani Boeing 737 u rrëzua vetëm tre minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini, vetëm disa orë pasi Irani nisi një sulm raketor në bazat amerikane në Irak.
Duke cituar burime, mediumi i Ukrainës Obozrevatel raportoi se kishte 73 kanadezë, 71 iranianë, 15 ukrainas, tre britanikë dhe disa evropianë të tjerë në bordin e fluturimit për në Kyiv.
Kishte raporte kontradiktore mbi numrat dhe besohet se një numër i udhëtarëve mund të ketë pasur nënshtetësi të dyfishtë.
Siç është raportuar edhe më herët, nuk kishte asnjë të mbijetuar.
Vetëm disa orë para rrëzimit të aeroplanit, Administrata Federale e Aviacionit Amerikan kishte ndaluar linjat ajrore amerikane të fluturonin mbi Iran, Irak dhe ujërat e Gjirit Persik për shkak të krizës së Lindjes së Mesme.
Sidoqoftë, ambasada e Ukrainës në Teheran raportoi se përplasja ishte shkaktuar nga një dështim i motorit dhe jo nga terrorizmi.
Zyrtarët iranianë thanë se piloti kishte humbur kontrollin e aeroplanit Boeing pasi një zjarr goditi njërin prej motorëve të aeroplanit, por thanë që ekuipazhi nuk kishte raportuar një emergjencë dhe se çfarë e shkaktoi zjarrin. /Telegrafi/