Fermerët në Kosovë parashikojnë që nga fushata e korrje-shirjeve të grurit të sigurohen rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës për ushqim.
Për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe shtrenjtimit të çmimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ata nuk janë në gjendje të garantojnë sasi dhe cilësi të duhur.
Njëherësh, fermerët paralajmërojnë edhe vështirësi në furnizime nga importi për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë, si dhe bllokimit të eksporteve nga Ukraina dhe Rusia.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje.
Procesi i korrjes së grurit në Kosovë ka filluar në fund të muajit qershor.
Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit do të jetë brenda mesatares nga 3500-4500 kilogramë për hektarë.
Ai tregon se pritet të korren rreth 70 mijë hektarë sipërfaqe të mbjellë me këtë kulturë.
“Edhe sivjet rendimenti do të jetë brenda kësaj mesatare – por është ende herët të flasim pa përfunduar procesi i korrjes”, thekson ai.
Por, Pal Gjuraj, nga Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit te Kosovës, konsideron se kjo sipërfaqe është e pamjaftueshme për nevojat e popullatës së përgjithshme.
“Nuk pritet ndonjë rendiment, po flas për ditët e para të fillimit të korrjes. Pritet që për një hektar tokë, rendimenti të arrijë 3.500 kilogramë, ndërkaq vitin e kaluar kjo ishte mbi 4.200 kilogramë”, thotë ai, duke shtuar se me këtë sasi të rendimentit do të sigurohet rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori janë 204 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.
Në vitin 2020, Kosova ka siguruar 341 mijë tonë grurë nga 80 mijë hektarë sipërfaqe të mbjella me këtë kulturë. Të dhënat për vitin e kaluar mungojnë.
Kasumi: Nëse vazhdon shtrenjtimi, do të zvogëlohen sipërfaqet me grurë
Fermeri Xhafer Kasumi nga Komuna e Vushtrrisë, sivjet ka kultivuar 24 hektarë tokë me grurë, njëmbëdhjetë hektarë më pak se vitin paraprak.
Për shkak të rritjes së çmimit të plehut artificial dhe derivateve të naftës, vjeshtën e kaluar ai thotë se e ka zvogëluar sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë.
Por, çmimet e këtyre produkteve kanë vazhduar të rriten edhe gjatë këtij viti. Kasumi thotë se do ta zvogëlojë sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë.
Gruri duhet të plehërohet domosdo dy herë. Gjatë këtij viti 100 kilogramë pleh artificial kushtojnë 100 euro, krahasuar me vitin e kaluar kur kanë kushtuar 32 euro.
Për një hektar tokë të kultivuar nevojiten deri në 300 kilogramë pleh.
“Nuk di si do t’ia bëj. Mbi 6.000 euro më ka kushtuar vetëm plehërimi. Deri më tani ka korrur një pjesë të grurit dhe kur të përfundojë krejt, do ta llogaris a ia vlen të mbjell sivjet”, shprehet ai.
Rritet edhe çmimi i grurit
Shtrenjtimi i plehut artificial dhe naftës ka bërë që edhe çmimi i grurit në treg të jetë më i lartë.
Pal Gjuraj tregon se çmimi për një kilogram grurë kushton 30 centë edhe kjo vlerë, sipas tij, nuk është e leverdishme për fermerët. Vitin e kaluar çmimi për një kilogram grurë ka kushtuar 19 centë.
“Ne i bëjmë ftesë Qeverisë që të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë, duke pasur parasysh që është sezon korrjesh jo vetëm te ne (Kosovë) por edhe në rajon, që të nisë të grumbullojë rezerva të grurit, përndryshe do të kemi vështirësi të jashtëzakonshme, sepse lufta ruse në Ukrainë do të ndikojë edhe tregun e Kosovës”, thotë Gjuraj.
Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se Kosova edhe sivjet do të varet nga importi.
Pasi në bazë të sasisë dhe cilësisë së grurit, ai llogarit se gjysma e nevojës së kërkesave të qytetarëve për këtë produkt nuk do të përmbushen.
Pushtimi rus i Ukrainës, sipas Rusinovcit, do të shtrenjtojë dhe do të vështirësojë edhe më tepër furnizimin me këtë produkt.
“Unë besoj se nga muaji shtator, përkatësisht tetor, ky çmim do të jetë dyfish më i lartë. Pra, është vit më i vështirë në raport me vitet e kaluara, sfidat janë shumë të mëdha. Dhe, nga janari mund të ballafaqohemi, mos të themi me pasiguri ushqimore, por sigurisht me çmime enorme të grurit. Dhe nga gruri më pas shtrenjtohen edhe produkte tjera ushqimore”, thekson Rusinovci.
Rusinovci: Lufta në Ukrainë vështirëson sigurimin e grurit
Rusia dhe Ukraina eksportojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë.
Por, që nga nisja e pushtimit rus, miliona tonë grurë dhe drithëra të tjera janë bllokuar prej muajsh në portet e Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime mbi krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.
Prodhimi botëror i grurit, orizit dhe drithërave të tjera pritet të arrijë në 2.78 miliardë tonë më 2022, 16 milionë tonë më pak se vitin e kaluar.
Kjo është hera e parë në katër vjet që ka rënë prodhimi i këtyre produkteve, tha Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Agrikulturë.
Çmimet e grurit u rritën për 45 për qind në tremujorin e parë të këtij vitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në indeksin e çmimeve të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë.
Kosova nuk është shumë e varur nga importi i grurit nga Ukraina dhe Rusia, por vendet nga importohet ky produkt në Kosovë mund të kenë siguruar në këto shtete, thonë përfaqësues të shoqatës së bujqve dhe mullisëve.
Kosova sasinë më të madhe të grurit e importon nga shtetet e rajonit, përkatësisht nga Serbia. Për gjashtë muajt e këtij viti, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, vendi ka importuar 45 mijë tonë grurë, gjatë vitit 2021, 115 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit dhe në vitin 2020, rreth 160 mijë tonë.
Serbia është shteti nga i cili Kosova importon sasinë më të madhe të grurit dhe miellit, pasuar nga Hungaria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.
Për të ulur sasinë e importit të produkteve bujqësore dhe rritjen e rendimenteve Qeveria e Kosovës më 9 mars, ka ndarë 50 milionë euro për subvencionimin e sektorit të bujqësisë.
Vetëm për subvencionimin e grurit janë ndarë 474 euro për hektarë – përfshirë këtu shpenzimet e plehut dhe të naftës./REL