Telegrafi

Rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve në Podujevë, shkaku i buxhetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se nuk është miratuar buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevë dhe se mos aprovimi i këtij buxheti rrezikon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Yll Buleshkaj, tha se këtë informacion e mori me vonesë, pra gjatë mbajtjes së mbledhjes së KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer të gjitha procedurat me kohë dhe sipas saj pa buxhet nuk mund t’i vazhdojnë procedurat tjera të zgjedhjeve.

“Ne jemi 25 ditë larg nga dita e zgjedhjeve dhe nuk na ka ndodhur të mos kemi fletëvotime. Janë shtypur jashtë Kosovës por gjithsesi janë procedurat e prokurimit, por që nga dita e sotme nuk mund ta bartim përgjegjësinë dhe ditën e zgjedhjeve mund të na ndodh te mos kemi fletëvotime. Dhe duhet të na referohen vërejtjet në buxhet”, tha ajo.

Mosmiratimi i buxhetit për zgjedhjet e kryetarit të Komunës së Podujevës u bë i ditur 25 ditë para ditës së votimit.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës janë planifikuar të mbahen më 15 mars,  në garë janë tre kandidatë./Telegrafi/