Dështimi i përpjekjes së ushtrisë për grusht shtet në Turqi, bëri që presidenti Recep Tayyip Erdogan të nis një fushatë spastrimi ndaj organizatorëve të puçit, duke arrestuar dhe burgosur mijëra sish.
E si shkak i gjithë kësaj ueb sajti WikiLeaks ka nisur publikimin e e-maileve sekrete të Partisë së Erdoganit për Drejtësi dhe Zhvillim, e në mesin e shumë e-maileve përmendet edhe Kosova.
Aty tërhiqet një paralele mes krizës së dikurshme të Gjeorgjisë dhe Kosovës. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidenti rus Vladimir Putin kishte pohuar se do të hakmerrej keq ndaj shteteve perëndimore, e kjo ka filluar me shtetin gjeorgjian.
Lidhur me atë se a paraqet rrezik për Kosovën një deklaratë e tillë e bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani ka thënë për Telegrafin se rreziku nga agjenda politike e Rusisë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën, është real dhe afatgjatë.
“I tillë ka qenë gjatë historisë mbi një shekullore, porse edhe më tutje qëllimi i politikës neo-perandorake ruse mbetet përhapja dhe shtrirja e ndikimit të vet në Ballkan. Një situatë e tillë kërcënuese mund të shmanget me zhvillimin e lidhjes së përjetshme me SHBA-në, duke vendosur marrëdhënie të paluhatshme diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike midis shqiptarëve në tërësi dhe amerikanëve”, ka thënë Ramadani, për Telegrafin.
I pyetur se sa mund të zbeh adhurimin e kosovarëve për Erdoganin publikimi i këtyre e-maileve, Ramadani ka thënë se “në secilin variant Kosova besoj se ka interes ruajtjen e raporteve të mira me popullin dhe qeverinë turke, duke u bazuar në interesa të përbashkët për sigurinë rajonale, konsolidimin e demokracisë dhe përballjen me sfidat e sigurisë globale”.
“Pra, Turqia është partner specifik i NATO-s, Ballkanit dhe Kosovës. Dhe, unë nuk e shoh raportin e Kosovës me Turqinë bazuar në emra të caktuar të politikanëve, por bazuar në interesa të përbashkëta të dy shteteve”, u shpreh Ramadani.
Në anën tjetër drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, ka theksuar se Rusia përbën rrezik të madh për shtet-ndërtimin në Kosovë, sidomos në nivelin politik.
“Këtu vlen të theksohet sidomos roli i saj tejet destruktiv për pengimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare duke nënvizuar këtu qasjen proaktive që pamë në rastin e angazhimit të Ministrisë së Jashtme Ruse gjatë aplikimit në UNESCO”, ka thënë Qehaja për Telegrafin.
Ai ka shtuar po ashtu se Rusia përbën rrezik ushtarak për Evropën në tri drejtime.
“Drejtimi i parë është ai në shtetet e Baltikut, i dyti është Ballkani kurse drejtimi i tretë është Deti i Zi, respektivisht në Moldavi”, u shpreh Qehaja, duke shtuar se “nëse i kthehemi Kosovës, rreziku ushtarak nga Rusia mund të shihet nëpërmjet Serbisë ku ajo tashmë ka një prezencë të kamufluar ushtarake në Nish dhe se ka pretendime për një prezencë ushtarake në pjesë të tjera të Serbisë”.
Sipas Qehajës një gjë e tillë nënkupton se mund të presim ndonjë kërcënim klasik ushtarak nga Rusia, mirëpo ajo çfarë mund të pritet krahas bllokadave politike, është që Rusia të vazhdojë të përbëj problem politik e ekonomik për shtetet të cilat aspirojnë integrimet euro-atlanike, pra edhe Kosovën.
“Rrjedhimisht nevoja që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s ‘Partneritet për Paqe’, është më se e nevojshme. Unë pres që në fund të vitit Kosova përfundimisht të merr sinjale të qarta për nisjen e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n, gjë që do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj rrezikshmërive që na kanosen nga Rusia dhe akterët e tjerë”, ka thënë Qehaja.
Putin, me rastin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës kishte kërcënuar shtetet perëndimore se nuk do t’ua linte këtë veprim ‘pa iu hakmarrë’. /Telegrafi/