Telegrafi

Rreze Hoxha nga GLPS: Procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të kthehet në pikën zero, Paneli ka vlerësuar se poentimi i kandidatëve nuk ka qenë i arsyetuar mirë

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit.

Të mërkurën, më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi unanimisht që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokurori i ri i Shtetit.

Propozimi i Këshillit Prokurorial do të dërgohet tek Presidentja e vendit, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.

Organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kanë thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, se nuk mund të pajtohet me votimin unanim, pasi sipas saj duhet marrë parasysh edhe raporti i Panelit Vlerësues.

“Paneli ka vlerësuar se poentimi i kandidatëve nuk ka qenë i arsyetuar mirë për formën se si janë dhënë pikët. Shembull, te prokurorë të caktuar është thënë se nuk ka asgjë që atij mund t’i dëmtohet integriteti, derisa i njëjti nuk i ka marrë pikët maksimale”.

Lexo po ashtu Përzgjedhja e Kryeprokurorit, ish-ministri i Drejtësisë: E çuditshme që askush nuk po ankohet për rezultatin - të gjithë po ankohen për procesin

Hoxha-Zhuja thotë se është e diskutueshme se si një raport u votua në Këshillin Prokurorial vetëm nga tre anëtarë të KPK-së, derisa në fund të procesit vota ishte unanime.

“Kur i njëjti Komision ka pasur probleme te poentimi, si mund të ketë votë unanime për kandidatin”, deklaroi Hoxha.

Ajo thotë se është për keqardhje që nuk janë marrë për bazë edhe vërejtjet e ndërkombëtarëve për procesin.

Anëtarja e shoqërisë civile thotë se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të kthehet në zero.

Kritika ndaj procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit kanë shprehur edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë në Kosovë, si dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian./Telegrafi/