Muzika qytetare tiranase, politikat përkrahëse të mbretit Zog dhe roli i diktaturës, muzikologu rrëfen si shmanget humbja e vlerave
Muzika popullore tiranase, si vlerë e shtuar e trashëgimisë shpirtërore kombëtare, rrëfehet në studimin e shoqëruar me CD, “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë”, prej akademikut dhe muzikologut Vasil Tole.
“Muzika popullore e Tiranës nuk ka një histori tipike, siç jemi mësuar kur studiojmë Polifoninë apo Eposin e Kreshnikëve, që gjithçka është brenda habitatit të vet. Ka ndodh diçka e çuditshme me studimin e muzikës së Tiranës, pasi mënyra se si Tirana u urbanizua si qytet, reflektoi dhe fazat e zhvillimit të muzikës popullore qytetare të Tiranës. Rrethanat që bën që Tirana të ishte kryeqytet ndikuan që të përshpejtohej procesi i konsolidimit të muzikës popullore tiranase, ku vëmë re që veglat e temperuara të bëhen bashkë dhe bashkëshoqërojnë muzikën tradicionale të atij qyteti apo rrethinave. Po ashtu, vitet 1930 janë vitet e konsolidimit të plotë të muzikës së Tiranës”, thotë ai.
Pas vitit 1944 ndryshon diçka. Futja e politikës shtetërore në promovimin e kulturës etnike, u përdor dhe për të kufizuar ndikimet nga artet dhe kulturat e tjera, që lidheshin me parimet e ideologjisë komuniste.
“Është e rëndësishme, se pas vitit 1944 nis procesi që është i njëjtë me digjitalizimin e sotëm. Nisi interesi publik i Radio Tiranës për këngë të RTSh-së. Pasi deri në atë vit fondi i RTSh-s ishte me disqe të viteve 1930, ndërkohë që tregu kishte nevojë për disqe të rinovuar. Në këto momente shfaqet puna e Ramadan Sokolit dhe Muharrem Gurrës në Pallatin e Kulturës, që evidentuan talente femra, si Fitnete Rexha etj. Në këto momente këngët popullore të Tiranës u bënë fenomen zyrtar”, tregon Tole.
Ndonëse pas viteve 1990 prurjet e reja mbeten të diskutueshme, e më shume i mëshohet përpunimit të këngëve të vjetra, përfaqësueset më të denja mbeten, sipas Toles, Parashqevi Simaku dhe Merita Halili. /Shqiptarja/