Site icon Telegrafi

Rreth 80 qytetarë të Kaçanikut kërkojnë ndihmë në QKMF, dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm

Foto: Arkiv

Rreth 80 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, për shkak të simptomave që dyshohet të jenë të helmimit nga uji i pijshëm.  

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në një bisedë telefonike për Telegrafin tha se disa qytetarë tash e tri ditë janë me simptoma të helmimit; diarre dhe të vjella.

“Është dita e tretë që disa qytetarë kanë simptoma që dyshohet të jenë të helmimit nga uji i pijes. Dikur rreth 80 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të këtyre simptomave. Janë simptoma të lehta”, deklaroi Ilazi.

Ai tutje shtoi se mostrat e ujit i kanë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë publike dhe se sipas rezultateve, uji është i pijshëm.

Ndërsa, tani tha se janë në pritje të rezultateve të analizave bakterologjike, të cilat pritet të dalin sot pasdite.

Ilazi mes tjerash bëri të ditur se qytetarëve u kanë sugjeruar që ujin ta vlojnë para se ta përdorin për pije, derisa të bëhen të ditura rezultatet përfundimtare të analizave. /Telegrafi/

 

Exit mobile version