Rreth 50 nxënës nga gjimnazi “Hajdar Dushi” në Gjakovë dhe shkolla “Mileniumi” në Prishtinë, morën pjesë në një projekt ndërkombëtar lidhur me ujin dhe sfidat që mund të ballafaqohen rreth kësaj çështje.
Ky projekt ndërkombëtar i cili u organizua nga Rotary Club u financua nga Rotary Club Prishtina International dhe Rotary Club Prishtina Ulpiana.
Qëllimi i projektit të udhëhequr nga Bedri Cahani, mësimdhënës i gjimnazit dhe rotarian, ishte vetëdijesimi i nxënësve për ujin, sfidat që mund të ballafaqohen me çështjet që kanë të bëjnë me ujin, si dhe dhe zgjidhjet që mund të konsiderohen për ti zgjidhur ato sfida.
Përmes këtij projekti u realizua idea që të rinjtë si komunitet në shkollë, klube, lagje etj. përmes aktiviteteve , të arrijnë të bëjnë një vlerësim për idetë, duke krijuar njohuri të vlerësimit për investimin, kohën, zgjedhjen e opsioneve më të mira etj.
Ky projekt u përmbyll dje me ndarjen e certifikatave për të gjithë nxënësit pjesëmarrës.
Në këtë projekt ndërkombëtar që ka nisur nga viti 2006, kanë marrë pjesë 120 shkolla, janë përfshirë 18,000 studentë , 100 mësimdhënës dhe rreth nëntë shtete si Rumania, Lituania, Moldavia, Polonia, Ukraina, Kosova Shqipëria, Amerika e Izraeli. /Telegrafi/