Telegrafi

Rreth 1.70 miliard euro borxhi i jashtëm i Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës, ka njoftuar se Borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, në fund të shtatorit 2014 ka shënuar vlerën 1.69 miliard euro. Borxhi publik ka një pjesëmarrje në borxhin e jashtëm,  prej rreth 23 për qind, gjendja e të cilit në fund të shtatorit ishte 383.4 milionë euro.

Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të shtatorit 2014 ishte 318.1 milionë euro.

“Borxhi i sektorit privat në fund të muajit shtator 2014 shënoi vlerën prej 1,306.6 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive, që janë në relacion të investimeve direkte (711.1 milionë euro), pasuar nga sektorët e tjerë të ekonomisë (383.8 milionë euro) dhe huamarrjet e bankave komerciale (211.8 milionë euro)”.

Sipas raportit, në kuadër të sektorëve tjerë bëjnë pjesë institucionet financiare jobankare, korporatat jofinanciare, organizatat joqeveritare dhe ekonomitë familjare.

Në këtë kategori, dominojnë kreditë tregtare të korporatave jofinanciare që importojnë mallra  me 180.1 milionë euro. /Telegrafi/