Site icon Telegrafi

Rreshjet shkaktojnë dëme në malësinë e Karadakut

Reshjet e ditëve të fundit të shiut po shkaktojnë probleme infrastrukturore, në rrugën nga Likova që shpie për në fshatrat e Malësisë së Karadakut. Kamera e Alsat M regjistroi rrëshqitje të konsiderueshme në një pjese të kësaj rruge, përskaj Digës së Gllazhnjës , e cila e vështirëson qarkullimin banorëve të Malësisë së Karadakut. Përveç banorëve, këtë rrugë çdo ditë e kalojnë edhe mësuesit dhe arsimtarët e shkollave periferike të Malësisë të cilëve tash nga rrëshqitja e kësaj pjese të rrugës edhe më shumë u kanoset rreziku për jetë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Në mëngjes kur kemi ardhur në punë ditën e Hënë, na lajmëruan se ka rrezik në rrugë, arritëm këtu dhe e pamë edhe vet, dhe ishim në dyshim se a të kalonim apo jo, por me vështirësi kaluam rrugën dhe shkuam në punë. Ne udhëtojmë me rrezik shumë të madh, rreziku është prej Likovë kur marrim këtë rrugë, mirëpo tash shihet se rreziku është edhe më i madh”, tha Hajrizi Mustafa, mësues i Sh.F. “Dituria” Llukarë-Gushincë.

“Siç po e shihni çdo ditë në rrezik, po e shihni këtu edhe shembjen e rrugës, mirëpo jemi në mëshirën e zotit, dhe vetëm prej atij ndihmë kërkojmë përndryshe deri më tani tjetër ndihmë nuk kemi pas. Apelojmë që të ndërmarr ndokush masa që ta rregullojnë këtë çarje të tokës sepse nuk i dihet ndoshta mund të ndodhë gjatë kalimit të shembet e tëra”, tha Mustafa, mësues.

Të kontaktuar nga gazetarët, organet kompetente pranë Komunës së Likovës premtuan të gjitha masat e nevojshme për sanimin e kësaj rruge./Telegrafi/

Exit mobile version