Site icon Telegrafi

Rrëmben foshnjën dhe ia drejton revolen, polici amerikan e qëllon me pushkë automatike burrin – publikohen pamjet e pengmarrjes

Një zyrtar policor në Phoenix të Arizonës, ka qëlluar një burrë që mbante në njërën dorë revolen dhe me tjetrën foshnjën.

Polici dëgjohet duke i kërkuar 37-vjeçarit Paul Bolden që ta lëshojë fëmijën para një hoteli, e pamjet e këtij momenti janë publikuar nga departamenti i policisë në Phoenix, transmeton Telegrafi.

Policia i ishte përgjigjur një telefonate të dashurës së Boldenit, pas raportimit se kishte shtënë me armë në drejtim të foshnjës.

“Ai sapo më mori foshnjën, ka armë të mbushur. Ai po mundohet ta vret, po shtie me armë”, dëgjohet kjo nënë duke thënë në audio incizimin e publikuar nga policia.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia vërejti se Bolden ia kishte drejtuar revolen një burri. Ai vazhdimisht refuzonte të hidhte në tokë armën.

“Ai ka marrë peng foshnjën. Ka armë, ai tashmë ka shkrepur një herë”, dëgjohet zyrtari policor duke thënë derisa i raportonte eprorëve.

Veprimet e tij detyruan policin që kishte pushkë automatike në dorë, të shtie në drejtim të tij. Menjëherë i afrohet viktimës dhe ia rrëmben nga dora foshnjën.

Por, pavarësisht pse e dërguan në spital me urgjencë, ai atje është shpallur i vdekur nga mjekët. /Telegrafi/

 

Exit mobile version