Site icon Telegrafi

Rregullore për monitorimin e “Trepçës”

Një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe Menaxhmentin e AKP-së, sot është konsideruar Trepça, prandaj në mbledhjen e këtij bordi pati diskutime të shumta në lidhje me këtë ndërmarrje të rëndësisë së veçantë për ekonominë e Kosovës, ku u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes Trepça, si dhe u aprovua rregullorja për monitorimin e ndërmarrjes shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së.

U diskutua edhe në lidhje me kërkesat për ndryshimet e Ligjit të AKP-së, me ç’rast komisioni i formuar nga Agjencia për këtë qëllim është duke hartuar propozime për ndryshime dhe përmirësime të përmbajtjes së ligjit, të cilat propozime do t’i dërgohen organeve qendrore vendimmarrëse. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, transmeton KP.

Gjatë këtij takimi Bordi aprovoi raportet e pagesave për kreditorët e 11 ndërmarrjeve shoqërore (NSH) me shumë rreth 250 mijë euro. Po ashtu, Bordi aprovoi raportet e komisionit për shitjen e 28 banesave të NSH-ve tek shfrytëzuesit e ligjshëm bazuar në Ligjin në fuqi.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes së pronës së NSh “Auto Moto” dhe NSh “Ina Zagreb” për nevojat e Administratës Tatimore të K osovës dhe Doganës së Kosovës, e paraqitur konform vendimit përfundimtar të Qeverisë dhe e miratoi këtë kërkesë.

Bordi shqyrtoi dhe aprovoi një numër të qiradhënieve të aseteve të NSh-ve. Gjithashtu shqyrtoi raportin e Komisionit përkatës në lidhje me përcaktimin e statusit të personin juridik “Lotaria e Kosovës” dhe në harmoni me Ligjin e AKP-së e liroi atë nga administrimi i Agjencisë dhe e miratoi bartjen e kësaj ndërmarrje nën administrim të Qeverisë së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version