Site icon Telegrafi

Rregullimi i shtratit të Lumit Krena në vlerë afër gjysmë milion euro

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj së bashku me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit “Rregullimi i shtratit të Lumit Krena”, projekt ky i cili financohet nga MMPH dhe ka vlerën financiare afër gjysmë milion euro.

Me këtë rast ministrja Reshitaj tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prioritet rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes së lumenjve në tërë komunat e Republikës së Kosovë.

“Rregullimi i shtretërve të lumenjve në gjithë Republikën e Kosovës është një domosdoshmëri. Si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me përkushtim të madh jemi duke punuar në fillimin e realizimit të projekteve për rregullimin e shtretërve të lumenjve në gjithë Republikën e Kosovës”, tha Reshitaj.

Ajo po ashtu tha se rregullimi i shtratit të lumit Krena do të jetë në dobi të banorëve dhe vet komunës si dhe do të ruaj florën dhe faunën si pasuri e çmuar natyrore.

“Ky projekt do të mundësoj edhe evitimin e rrezikut nga vërshimet e mundshme dhe do të krijoj mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm duke balancuar aspektin ekonomik, social dhe mjedisor”, tha Reshitaj.

Para të pranishmëve, Reshitaj vlerësoi se përmes projektit të rregullimit të shtratit të lumit Krena, komuna e Gjakovës do të përfitoj një shëtitore, që do të jetë një korridor ku do të shërbej për lëvizje të lirë për qytetarët dhe banorët e kësaj ane.

Reshitaj, tha po ashtu se MMPH-ja përveç lumenjve, ka prioritet edhe shtrirjen dhe instalimin e ujësjellësit në fshatrat e komunës së Gjakovës.

“Në vazhdën e angazhimeve tona nëpër komuna, si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi duke mbështetur dhe financuar edhe Projektin për Përfundimin e Punimeve të Ujësjellësit për 28 fshatra në Gjakovë, projekt ky që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetareve të Gjakovës”, u shpreh Reshitaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini falënderoi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për mbështetje në projektin “ Rregullimi i shtratit të lumit Krena”, duke e vlerësuar si ndër projektet e domosdoshme për komunën dhe qytetarët e saj.

Kryetari Gjini, tha se brenda tri viteve komuna e Gjakovës parasheh të përmbyll rregullimin e lumit Krena duke përfshirë këtu edhe rregullimin e kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza. /Telegrafi/

Exit mobile version