Pasagjerët duhet të planifikojnë më tepër kohë për të shkuar në aeroport në të ardhmen.
Krahas mbajtjes së maskës parashikohen edhe procedura të zgjeruara kontrolli.
Detyrim për të mbajtur maskë në pika të caktuara, procese më të përimta dhe për këtë arsye më të ngadalta kontrolli, por një herë për një herë jo kontroll mjekësor – këto janë disa nga rregullat që prezantoi Shoqata e Industrisë së Fluturimeve Ajrore ADV në Berlin.
Paketa e masave ka për qëllim ta shmangë thuajse krejtësisht rrezikun e infeksionit nga sëmundja e mushkërive COVID-19, nëse trafiku ajror rifillon nga puna, tha drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate Ralph Beisel.
Aktualisht në aeroportet gjermane nuk ekzistonte një detyrim i përgjithshëm për të mbajtur maskë në terminalet e aeroporteve.
Deri tani një detyrim i tillë ekziston vetëm për aeroportet në landet e Bavarisë, Baden-Vürtembergut, Nordrajn –Vestfalise, Saksonisë së Ulët dhe në atë të Berlinit dhe Bremenit.
Në aeroportet e landeve të tjera udhëtarëve vetëm sa u rekomandohet një gjë e tillë.
Por, tanimë mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha aeroprotet e Gjermanisë.
Më shumë autobusë – më pak vende
Shoqata rekomandon që aeroportet të ngadalësojnë proceset e ndryshme në aeroport, si p.sh. në sportelet për check-in apo në kontrollet e bagazheve në mënyrë që pasagjerët të kenë mundësi të ruajnë distancën minimale fizike.
Po ashtu pritet të kufizohen edhe vendet e pritjes së pasagjerëve në hollet e aeroportit dhe që radhët e pritjes të tyre të organizohen në mënyrë të tillë që të ruhet distanca fizike.
Prej zbatimit të këtyre masave pritet që infrastruktura e aeroporteve do shënojë rënie prej 20 deri 50 përqind të kapaciteteteve të saj, që do të thotë edhe një përgjysmim të numrit të mëparshëm të udhëtarëve.
Jo kontrolleve mjekësore
Sa u përket kontrolleve mjekësore të pasagjerëve para se të hipin dhe kur zbresin nga avionet, aeroportet gjermane janë kundër, sepse sipas ekspertëve kamerat termike ose matja e temperaturës së pasagjerëve nuk janë masa të përshtatshme për të identifikuar bartësit e virusit.
Por nëse autoritetet gjermane kërkojnë vendosjen e kontrolleve mjeksësore, aeroportet preferojnë që kjo të bëhet përmes pyetësorëve që duhet të plotësohen nga pasagjerët. /DW/