Telegrafi

Rrëfimi i sinqertë i këngëtarit Bojken Lako: Si arrita t’i shpëtoj varësisë nga droga

Këngëtari i njohur i muzikës ‘rock’, Bojken Lako, ka rrëfyer së fundmi një histori të trishtë nga e kaluara e tij.

Në emisionin “Historia e jetës”, ai ka treguar se si arriti që të largohej nga rrugët e këqija, përkatësisht problemet e mëdha me drogën.

“Kam shumë miq dhe shokë që kanë dalë nga kjo situatë, por kam dhe shumë të tjerë që nuk kanë dalë dot. Ajo është pak si lojë, unë kam qenë në Amerikë në vitet 2000, ku për disa nga stilmulantët e ndryshëm nuk duhet ta provosh kurrë sepse patjetër që krijohet varësi. Varësia krijohet në forma të ndryshme. Megjithatë ata që më njohin e dinë se kanë qenë dhe vitet e para dhe ajo pjesa e abuzimit lidhet dhe me modën, ose si brezi i ndryshimit të sistemeve, asaj lirisë që na ka munguar deri në moshën 15 vjeç, se aq kam qenë kur ka ndryshuar sistemi. Ishte dhe ajo periudha e adoleshencës që nuk i shpëtoje dot asaj gjëje”, ka rrëfyer Bojken Lako.

Tutje, ai ka bërë të ditur se doli nga kjo rrugë e keqe në vitin 2004, ndonëse thotë se ka njerëz që ende mendojnë se është konsumues i lëndëve narkotike.

“Kam që në vitin 2004 që nuk përdor, nuk më besojnë. Ndonjëherë tallem unë me njerëzit që nuk më besojnë dhe nuk tentoj që të vazhdoj ta kuptojë dikush që kam që në 2004-n. “Ndonjë gjë e pi ky”, thonë”, ka treguar këngëtari i ‘rock’-ut.

I njëjti ka bërë të ditur se ka tash e një vit që nuk pi më as alkool, ndonëse ishte shumë i vështirë largimi nga konsumi i tij. /Telegrafi/