Site icon Telegrafi

Rrëfimi i psikologes që trajtoi mbi 400 raste të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës

Psikologja Selvi Idrizi ka trajtuar më shumë se 400 raste që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo më parë kishte punuar si psikologe në shkollë, por nevoja për të trajtuar rastet e luftës e ka detyruar atë të ndryshojë ambient.

Idrizi thotë se nuk ka qenë e lehtë ta bëjë një gjë të tillë.

“Në fillim edhe unë bashkë me viktimat jam traumatizuar”, tregon ajo për RTV Dukagjinin.

Ajo thotë se ata që ishin torturuar, burgosur, rrahur apo raste të tjera nuk e kishin problem të rrëfejnë historinë e tyre por trajtimi i atyre që ishin të ekspozuar ndaj dhunës seksuale ishte më ndryshe.

Psikologia thotë se pas vitit 2010 situata me këta persona është përmirësuar dhe kanë filluar të rrëfejnë dhimbjen e tyre.

Sipas saj kjo ka ndodhur për shkak se në politikë kanë ardhur më shumë gra.

Personat e dhunuar në luftë sot përballen me stigmatizimin e shoqërisë.

Lexo po ashtu 14 prilli, Dita Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kupolat e Bibliotekës Kombëtare do të ndriçohen me ngjyrat e lules Anemonë

“Barriera kryesore e tyre është stigma me të cilën përballen. Stigma më e theksuar ka qenë ajo e familjes. Në vend se familjarët të jenë mbështetës ata kanë qenë abuzues. Ata i kanë izoluar personat e dhunuar apo vajzat e  reja i kanë martuar me persona të moshuar. Ne kemi një grup të vajzave të dhunuara që nuk kanë arritur të martohen apo krijojnë familje. Jo që nuk kanë dashur por që kur kanë treguar se çfarë iu ka ndodhur kanë qenë të papranueshme”.

Idrizi thotë se shumica e viktimave thonë se nuk kanë pasur mbështetjen e familjes sikurse të Vasfije Krasniqit.

Psikologja thotë se prej rreth 700 të mbijetuarve që janë të regjistruar, 77 janë burra.

Lexo po ashtu 'Më mirë të më kishin pushkatuar', rrëfimi i gruas e cila përjetoi dhunë seksuale nga paramilitarët serbë në Kosovë

“Ata e kanë edhe më të vështirë se gratë të rrëfehen. Ata e kanë shumë të vështirë të verbalizojnë dhunën seksuale ndaj tyre. Burrat për dallim nga gratë nuk mund të tregojnë dhunën seksuale ndaj tyre qysh në takimin e parë”.

Idrizi tregon se në organizatën ku punon ka pasur raste kur janë trajtuar edhe persona që janë dhunuar derisa ishin në moshën 9-vjeçare.

“Përshkrimi i të dhunuarës 9-vjeçare është jashtëzakonisht i rëndë. Ajo është larguar nga nëna dhe është vendosur në një ambient shkolle. Aty është dhunuar nga dy persona, që thotë se kanë qenë me uniforma policore. Ajo në moshën madhore është njoftuar me të dashurin dhe familja e kanë ndjerë të nevojshme që burri i saj i ardhshëm të dijë se çfarë i ka ndodhur. Aty asaj i është rindezur trauma. Pastaj ajo ka filluar të vijë në organizatë dhe të trajtohet”.

Psikologja tregon se për fat të keq trauma nga nëna është bartur edhe të fëmijët në shumë raste./Telegrafi/

Exit mobile version