Site icon Telegrafi

Rrëfimi në Kongresin Amerikan i vëllait të tre dëshmorëve Bytyqi: Vuçiq ka kërcënuar familjen time

Për krimet serbe në Kosovë, para Kongresit Amerikan ka dëshmuar edhe Ilir Bytyqi, vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës.

Bytyqi para Kongresit ka rrëfyer për momentin kur vëllezërit e tij kishin vendosur që të ktheheshin nga Amerika për të luftuar kundër pushtimit të Serbisë mbi Kosovën.

Ai tha se po kërkojnë drejtësi, pasi President i Serbisë Aleksandar Vuçiq po i mbron kriminelët, dhe lavdëron periudhën e Millosheviqit.

“Jam nga një familje emigrantësh jam rritur në Kosovë dhe Amerikë së bashku me 3 vëllezërit e vrarë dhe nënën. Ishim të tmerruar kur pamë familjarë që gjatë luftës po përziheshin nga shtëpitë e tyre. Ne pamë se komuniteti në New York ishte i bashkuar dhe donin të shkonin të luftonin kundër pushtimit të Serbisë mbi Kosovën. Ylli, Mehmeti dhe Agroni ishin të vendosur të shkonin. Ata u pajtuan që të shkonin në një zonë të sigurt dhe humanitare, por një automjet pa targa i kidnapoi dhe ata u gjetën në Petrovosello në një varrezë masive. Vëllezërit e mi u gjetën me duar të lidhur dhe të ekzekutuar në kokë vetëm pse ishin shqiptarë. Ne po kërkojmë drejtësi sepse President i Serbisë Vuçiq po i mbron kriminelët, dhe lavdëron periudhën e Millosheviqit”, tha Bytyqi.

“Unë kam takuar më 2015 Vuçiqin për t’i kërkuar drejtësi për vëllezërit e mi dhe ai e ka kërcënuar familjen time” ka thënë Bytyqi.

Ai tha se janë shumë shqiptarë të zhdukur dhe Serbia nuk e ka dënuar askënd për fshehje të këtyre krimeve.

“Kongresi amerikan duhet të miratojë rezolutën që t’i japin rëndësi të veçantë këtyre gjërave sepse Serbia po përpiqet të hyjë në BE dhe i është mundësuar hapja e kapitullit për anëtarësim. Është momenti që SHBA-të dhe BE-ja t’i tërheqin vërejtjen Serbisë, që të mos iu ikë çështjeve të tilla dhe t’i përballojë ato”, ka përfunduar Bytyqi.

Exit mobile version