Gjysha e liruar nga Gaza ka treguar sesi militantët e Hamasit e kishin mbajtur në një dhomë të vogël, dhe se trajtimi i tyre ishte përkeqësuar me rritjen e tensioneve mes Izraelit dhe Hamasit.
Ruthy Munder, 78-vjeçe ka folur për televizionin Channel 13 se afro 50 ditë i kishte kaluar e shtrirë në karriget e plastikës, duke mbajtur pranë vajzën Keren dhe nipin Ohada Munder-Zichria, transmeton Telegrafi.
“Ka qenë shumë e vështirë. Mësova se i biri më është vrarë nga militanti i Hamasit që po dëgjonte radion. Në fillim na jepnin mish pule me oriz dhe të gjitha llojet e ushqimeve të konservuara dhe djathë. Por me vështirësimin e gjendjes ekonomike, filluam të kalojmë ditë pa ushqim”, shtoi ajo.
Munder, bashkëshorti 78-vjeç i të cilës po mbahet akoma peng në Gazë, tha se në mëngjes dhe mbrëmje u jepnin çaj, kurse fëmijëve çokollata.
Gjatë pengmarrjes, besonte se do të lirohej dhe se do të mund sërish të bashkohet me familjarët.
“Kam qenë optimiste. Kam besuar se do të na lirojnë pavarësisht se na dërguan në Gazë dhe vranë ata të cilët donin t’i vrisnin”, shtoi ajo.
Militantët e Hamasit e kishin rrëmbyer Munderin gjatë sulmit të 7 tetorit, duke e nxjerrë dhunshëm nga shtëpia e saj në kibuc në jug të Izraelit.
Në këtë sulm u vra biri i saj, e pjesën tjetër të familjes Hamasi i kishte futur në një veturë dhe i kishte dërguar në Gazë. /Telegrafi/