Florent Hadergjonaj është prurja më e re në Përfaqësuesen e Kosovës.
Mbrojtësi i djathtë që në dy vitet e fundit është pjesë e kampionatit më të fortë në botë Ligën Premier, nga qershori do t’i bashkohet Përfaqësueses kosovare.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, djaloshi nga Deçani flet për vendimin e marrë për të luajtur me ‘Dardanët’.
24-vjeçari nuk ka harruar ta falënderojë shtetin e Zvicrës për mundësitë që ia ka dhënë, por ka folur edhe për pritshmëritë që ka me Kosovën.
Mbrojtësi i klubit anglez Huddersfield Town ka treguar se do të largohet nga kjo skuadër në fund të sezonit, ndërsa ka zbuluar kampionatet ku mund të luaj nga edicioni i ardhshëm.
Hadergjonaj më parë ka luajtur edhe për Ingolstadt në Bundesliga dhe Young Boys Bern në Zvicër, me paraqitjet e jashtëzakonshme në Ligën Premier në dy vitet e fundit ka ngritur vlerën e tij në shtatë milionë euro.
Telegrafi: Je lindur dhe rritur në Zvicër, ke luajtur për të gjitha grupmoshat ndërsa tani ke vendosur përfundimisht ta veshësh fanellën e Kosovës?
Florent Hadergjonaj: Së pari dua ta falënderojë shumë shtetin Zviceran që ka bërë shumë për familjen time, për mua dhe po vazhdon të bëjë shumë për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet të mrekullueshëm. Unë gjithmonë do të jem mirënjohës ndaj Zvicrës, për edukimin që kam marrë në këtë vend dhe për mundësinë që mu dha të bëhem futbollist profesionist. Ka qenë qen nderë për mua që kam përfaqësuar Zvicrën nga grupmoshat deri në një ndeshje në Përfaqësuesen A.
Telegrafi: Tani do të jesh një futbollist i Përfaqësueses së Kosovës?
Florent Hadergjonaj: Unë nga viti 2016 kam pasur kontakte të vazhdueshme, mirëpo është dashur të vij momenti i duhur për të ardhur. Sinqerisht kam dashur të rritem edhe më shumë si futbollist në klube dhe tani jam gati për Kosovën.
Telegrafi: A ishte vendim i vështirë?
Florent Hadergjonaj: Jo, nuk ka qenë vendim i vështirë. Unë gjithmonë e kam ëndërruar të luaj për Kosovën dhe personat që kam kontaktuar që nga fillimi e din mendimin tim. Natyrisht vendimi është marrë nga unë, familja ime dhe menaxherët dhe mendoj që është vendimi më i mirë dhe më i drejtë për karrierën time.
Telegrafi: A jeni gati për dy ndeshjet e muajit qershor?
Florent Hadergjonaj: Unë gati jam që tani për Kosovën, por tani i mbetet trajnerit Challandes të vendos. Sa herë të më jepet mundësia do të jap më të mirën nga vetja për të arritur sa më shumë rezultate pozitive.
Telegrafi: A i ka përcjellë Florenti ndeshjet e fundit të Kosovës?
Florent Hadergjonaj: Jo vetëm ndeshjet e fundit, por thuajse çdo ndeshje të Kosovës që nga ajo me Haitin në vitin 2014 i kam përcjellë. Kur kam qenë në ndeshje me Zvicrën kam shikuar ritransmetimin e ndeshjeve të Kosovës. Jam shumë i lidhur me Kosovën dhe natyrisht gjithmonë kam qenë një tifoz i zjarrtë.
Telegrafi: Kosova e ka nisur me barazim kampanjën kualifikuese për Euro 2020?
Florent Hadergjonaj: Barazimi ndaj Bullgarisë ka qenë i padrejtë, pasi Kosova e ka merituar fitoren. Por është vetëm ndeshja e parë dhe kemi gjasa reale për të kaluar tutje. Në qershor na presin dy ndeshje tejet të rëndësishme dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive.
Telegrafi: A keni kontaktuar me trajnerin Challandes apo ndonjërin nga futbollistët e Kosovës?
Florent Hadergjonaj: Po kam kontaktuar me trajnerin pasi me të njihemi që nga koha kur luaja në Zvicër. Sa i përket futbollistëve thuajse njihem me të gjithë dhe jemi miq të mirë. Njohja me futbollistët do të ma bëjë shumë më të lehtë ambientimin.
Telegrafi: Sa ka gjasa që Kosova të arrijë në kampionatin evropian?
Florent Hadergjonaj: Përveç Anglisë në Grupin A, skuadrat tjera thuajse janë të barabarta. Duhet të tentojmë të marrim sa më shumë pikë dhe pastaj të shohim. Evropiani nuk është i pamundur, mund t’ia arrijmë.
Telegrafi: Kthehemi tek skuadra juaj Huddersfield dhe aventura në futbollin anglez?
Florent Hadergjonaj: Viti i kaluar ishte shumë i mirë si për mua ashtu edhe për klubin, pasi arritëm të mbijetonim në Ligën Premier. Këtë vit kam pasur paraqitje të mira personale, por që me klubin nuk ia dolëm të mbesim në elitë. Gjithsesi aventura ime në Angli mendoj se më ka rritur shumë si lojtar dhe se është një kampionat shumë i mirë.
Telegrafi: A do të vazhdoj të mbetet Florenti në Huddersfield, apo do të largoheni në fund të sezonit?
Florent Hadergjonaj: Jo, jo nuk do të mbetem, pasi klubi ka rënë në një kategori më poshtë do të largohem, edhe pse do të dëshiroja të mbesja këtu nëse do të siguronim qëndrimin në elitë.
Telegrafi: Është folur për një kalim te Lazio, apo rikthim në Gjermani?
Florent Hadergjonaj: Menaxherët e mijë, Erdin dhe Arbër Shaqirin merren me klubet. Unë jam i fokusuar ta përfundoj këtë edicion me klubin pastaj të shohim. Ka shumë klube të interesuara.
Telegrafi: Në cilin kampionat do ta shohim Florentin edicionin e ardhshëm?
Florent Hadergjonaj: E përmenda më parë që ka shumë interesime nga klube të ndryshme dhe nuk e di ende se ku do të transferohem. Janë tri kampionate që mund të luaj edicionin e ardhshëm, të mbetëm në Ligën Premier, të rikthehem në Bundesliga ose të luaj në Serie A. /Telegrafi/