Site icon Telegrafi

Rrëfimi i gruas kosovare që u rrah nga burri për 44 vjet

Foto: Ilustrim

Ende pa mbushur 17 vjet, ishte martuar. Por kjo martesë si kurorëzim i një dashurie, nuk i shkoi siç e kishte menduar A.B.

Pas një viti çdo gjë filloi të ndryshojë.

Fillimisht thotë që bashkëshorti i mohoi të drejtën e shkollimit e punës edhe i ndaloi vizitat te familjarëve.

Pastaj, gjërat u përkeqësuan edhe më shumë.

“Ky ka qenë gjithmonë me dhunë, diktaturë, kurgjo ma shumë. S’ka pasë ditë as orë që s’kam përjetuar dhunë prej tij. Vetëm kur ka qenë në orar të punës. Ama s’ke ditë për çka hiç, jo kështu vetëm me bisht të sakicës, me bisht të kacisë, me mjete të forta veç”, ka treguar ajo për T7.

Për 44 vite ajo e duroi dhunën e të shoqit vetëm për hir të fëmijëve të saj.

Madje, ajo thotë që para një viti, bashkëshorti i saj kishte tentuar ta vriste.

“Qitash rasti i fundit ke tu mi dhanë fund jetës me sëpatë. Kur ka dashtë me m’vra me sopatë kam bërtitë e më kanë ndihmu, më kanë nxjerr prej tij. Unë dy javë ditë kam pështy gjak, sepse e kam pas këtu të ..”

Edhe pse e kishte raportuar rastin në polici, ajo thotë që nuk e kanë ndihmuar, pasi që po atë natë policia e kishte liruar bashkëshortin e saj nga mbajtja.

Që nga ajo kohë, tash 61 vjeçarja thotë që është e divorcuar. Mirëpo, tregon se nuk e ka pasur përkrahjen as të fëmijëve të saj.

61 vjeçarja që raportoi dhunën nga bashkëshorti thotë që kjo nuk duhet të tolerohet në asnjë moment.

Ajo thotë që institucionet shtetërore nuk ofrojnë mbështetje ndaj grave që përjetojnë dhunë në familje.

Ndërkaq vazhdon të jetë në proces gjyqësor me personin që e rrahu për vite me radhë. Për këtë thotë që Gjykatat po e zvarritin procesin.

Exit mobile version