Intervistoi: Aroma Aliti
Ëndrra e saj e vetme ishte futbolli, duke filluar që nga mosha e vegjëlisë e deri më tani ajo vazhdimisht i është përkushtuar këtij sporti. Bëhet fjalë për futbollisten nga Tetova, Hava Mustafa e cila vjen me një intervistë për Telegrafi Maqedoni.
Ajo rrëfen rrugëtimin e saj në sferën e sportit dhe se si arriti të bëhet pjesë e ekipit të vajzave të RMV-së, gjithashtu tregon për lojërat e radhës që duhet t’i zhvillojnë këto muaj me shtete të tjera. Për Havën, Maqedonia e Veriut nuk është në nivelin e duhur siç janë shtetet evropiane sa i përket kushteve dhe mbështetjes në sport, në të kundërtën shumë sportist do të arrinin edhe më shumë suksese.
Kush është Hava Mustafa për ata që se njohin?
Unë jam Hava nga qyteti i Tetovës, futbolli është pasioni im, që e vogël gjithnjë kam dashur të jem një futbolliste e suksesshme dhe të arrij të luaj me ekipe të mëdha.
Që në vegjëli merret me këtë sport andaj përkushtimi i saj i madh ka bërë që sot të jetë pjesë e futbollit të vajzave në ekipën e Maqedonisë së Veriut.
Prej kur ke filluar të merresh me futboll dhe si ke arritur të përfaqësosh Maqedoninë e Veriut në futbollin e vajzave?
Unë me futboll merrem tashmë 19 vite, me pak fjalë gjatë gjithë jetës time merrem me futboll. Unë kam filluar duke luajtur në ekipe të tjera si Kf Dardanet që ishte ekip djemsh deri ne moshën 16/17 vjeçare, më pas për shkak se ky ishte nje ekip djemsh dhe atë kohë nuk ekzistonte ndonjë ekip vajzash u detyrova që të pauzoja 1 vit nga ëndrra ime deri në momentin kur u themelua ekipi i vajzave i ashtuquajtur Kff Tetova ndërsa tani mban emrin Kff Shkëndija dhe vazhdoj të jem pjesë e këtij ekipi. Sa i përket ftesës për të përfaqësuar shtetin tonë në ekipën e vajzave më ka ardhur ftesa gjatë vitit 2019 pasi ata më kishin parë dhe më kishin pëlqyer për të qenë pjesë e ekipit dhe të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë sukses. Ndjehem e lumtur për faktin se njëherë mendoja se nuk do të kishte ndonjëherë ekip vajzash dhe dëshira ime për futboll do shuhet por në realitet gjithçka ka shkuar ndryshe për mua.
KFF Shkëndija është klubi i cili ka bërë që ajo të vazhdoj ëndrrën e saj të madhe për futbollin. Më saktë themelimi i këtij klubi ka bërë që ajo të filloj të luaj futboll sërish, ngase në fillimet e saj ka pasur mungesë të ekipave të vajzave dhe ajo është detyruar një kohë të luaj me ekip djemsh e më vonë të ndërpresë futbollin.
Hava mendon se shteti i RMV-së ende nuk është në nivelin e duhur kur flasim për mbështetjen dhe kushtet në sport.
A mendon se Maqedonia e Veriut ofron kushtet dhe mbështetjen e duhur për sportistët që të arrijnë një sukses sa më të lartë?
Deri diku ofron por për fat të keq nuk është në nivelin e duhur. Sporti në përgjithësi kërkon mbështetje shumë, veçanërisht atë mbështetjen financiare. Në qoftë se do të kishte kushte më të mira për sportistët do të arrinim edhe më shumë suksese në përgjithësi. Edhe pse normalisht që me punë arrihet çdo gjë. Por, Maqedonia e Veriut nuk është në nivelin e shteteve evropiane kur flasim për kushtet në sport.
Ndeshja e radhës me cilin shtet do të jetë dhe a mendon se jeni përgatitur mjaftueshëm për fitore?
Do të kemi 3 lojëra miqësore me 3 shtete të ndryshme edhe atë, me Jordaninë, Bullgarinë dhe Estoninë. Lojërat do të zhvillohen në Antali. Kjo është faza përgatitore dhe llogaritet si një formë turniri që do të marrin pjesë shtete të ndryshme. Shpresojmë dhe përgatitemi për të korr suksese me fitore.
Në fund mesazhi i saj për rininë ndërlidhet me atë që ajo ka përjetuar në jetë, duke menduar se i është shuar ëndrra e futbollit, ka arritur edhe më shumë.
Një mesazh për rininë?
Në jetë nëse një derë të mbyllet, një tjetër do të hapet. Prandaj mos u dëshpëroni dhe mos u dorëzoni nga ëndrra dhe dëshira juaj, atë që ti vërtet e do dhe për të cilën lufton do e kesh gjithmonë!