Kleriku i lartë nga Vatikani, Vinçenzo Paglia, gjatë vizitës së tij në Prekaz ka rrëfyer takimet që ai i kishte zhvilluar gjatë viteve të 90-ta në Prishtinë e në Beograd, me qëllim që të parandalonte fillimin e një konflikti të armatosur.
Paglia kujton kohën kur ai takoi Ibrahim Rugovën në Prishtinë e Sllobodan Millosheviqin në Beograd, e përshtypjet që merrte nga këta dy ishin krejt të kundërta.
Vizitat e tij në Ballkan, Paglia tregon se i kishte filluar në vitin 1991, në vitin kur ai edhe e kishte njohur ish-presidentin Ibrahim Rugova.
“Në vitin 1991 unë e njoha Ibrahim Rugovën në Tiranë dhe më ka pëlqyer personaliteti i tij, shkova në Tiranë duke marrë parasysh problemin për dhunën ndaj shqiptarëve nga Serbia”, kujton kleriku.
Ai tutje thotë se Rugova i tregonte atij që shqiptarët e Kosovës kishin krijuar një shoqëri paralele, e klerikut i kishte lënë përshtypje fuqia e popullit shqiptar që, sipas tij, kishin zgjedhur të jetojnë duke e evituar dhunën, por duke vazhduar thellësinë e raporteve njerëzore si shoqërore ashtu edhe ekonomike.
Takimi i tij me ish-presidentin Rugova e kishte bërë që këtë të fundit ta dërgonte menjëherë në fund të vitit te Papa, e që Rugova përpos Paglias të befasuar e kishte lënë edhe vet Papën.
“Papa ishte i befasuar nga ky njeri që ishte poet me shallin që mbante ai, i qetë, por që ballafaqohej me një situatë dramatike të popullit shqiptar në Kosovë me një vizion paqësor shumë të bukur”, kujton kleriku nga Vatikani.
Rugova asokohe ishte bërë shumë i i njohur në Itali, e sipas Paglias atë e quanin ‘Gandi i Ballkanit’.
Pas disa vizitave që ky i fundit kishte bërë në Prishtinë, radha kishte ardhur që ai të takohej edhe me Slobodan Millosheviqin.
“Papa Gjon Pali II në fillim të luftës në Ballkan dëshironte t’i vizitonte tre kryeqytetet Zagrebin, Sarajevën dhe Beogradin dhe unë i binda të gjithë politikanët ta pranojnë Papën. Fatkeqësisht Patriarku Pavle (i Kishës Ortodokse Serbe) nuk pranoi dhe vizita e Papës nga Vatikani nuk ndodhi”, kujton kleriku.
Takimi i tij me Millosheviqin nuk i la mbresat e njëjta, si Rugova.
Ishte viti 1992 kur ai u takua me Millosheviqin, koha kur në Bosnjë e Hercegovinë po zhvillohej luftë, e forcat serbe po kryenin krime mbi popullatë.
Situata në Bosnjë, kujton Paglia, kishte qenë një paralajmërim për Kosovën. E ai thotë se vet Millosheviqi kishte thënë se ajo çfarë po bëhej në Bosnjë, në rast të ndërhyrjes së perëndimit do të ndodhte edhe në Kosovë, madje edhe me keq.
“Gjatë takimeve me Millosheviqin ai thoshte se nëse perëndimi dëshiron të ndërhyjë në çështjen e Kosovës ajo që tani po ndodh në Bosnjë do të duket si Disney Land në krahasim me atë që do të ndodh në Kosovë”, i kujton kleriku bisedat që kishte me diktatorin serb.
“Kjo që tha Millosheviqi më goditi mu në zemër, një gjë dramatike. Nga ai moment e tutje fillova të bisedoj me Rugovën. Duhet të veprojmë që t’i ikim luftës!” – vazhdon rrëfimi i tij.
Pas kësaj ai tregon se kishte filluar dialogun me Millosheviqin, duke dëshiruar që ta bind që t’ua kthejë shqiptarëve të Kosovës të drejtat e tyre elementare.
Ai kujton se në vitin 1997 për ta realizuar një marrëveshje në mes dy vendeve, kishte udhëtuar katër herë me aeroplan në Prishtinë dhe në Beograd brenda një dite.
Po gjatë asaj kohe, kleriku nga Vatikani ishte takuar edhe me kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti.
“Ai ishte në moshë të re, i cili në atë kohë kishte më shumë flokë se sot dhe biseduam me të sepse dëshiruam t’i iknim një konflikti të armatosur dhe në fakt arritëm t’ia kthenim shqiptarëve në Kosovë qendrën kulturore” – kujton ai bisedat që i kishte zhvilluar me Kurtin.
Paglia tregon se personalisht kishte shkuar në Beograd për t’i marrë çelësat dhe tregon se i kujtohet mjaft mirë entuziazmi i shqiptarëve kur hynë në shkollë, fakultet e në qendra arsimore.
Ai tregon se pas kësaj, hapi dytë i punës së tyre do të ishte të kthehej Universiteti i Prishtinës për shqiptarët e Kosovës. /Kallxo.com/