Telegrafi

Rrëfimi i dëshmitarëve që e panë trupin e policit Armend Trena në lumë (Video)

Trupi i pajetë i policit Armend Trena është gjetur sot në orët e pasdites në lumin Lepenc, nga njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së në orën 16:50, në kilometrin e gjashtë në hyrje të Hanit të Elezit nga vend i aksidentit në lumin Lepenc.

Para se të gjendej trupi i policit Trena nga njësitë e kërkim shpëtimit, dy qytetarë të Hanit të Elezit thonë ta kenë parë trupin e policit duke e bartur uji i lumit, të cilët pastaj i kanë njoftuar zyrtarët policor.

Ata janë vëllezërit Hamdi dhe Ragip Bushi nga Hani i Elezit.

“Jemi kanë me gjithë vëllain këtu në urë dhe e kam parë prej së largu tuj ardhur këtu nëpër Lepenc. E kemi parë përmbi urë, përmes ujit dhe pastaj vëllai i ka tregu policisë”, tha Hamdi Bushi.

Kurse vëllai i Hamdiut, Ragipi tregon se si ka vepruar pasi e ka parë kufomën.

“Ne jemi kanë duke ndejt këtu me vëllain dhe një kushëri, sa shkuan teposhtë FSK, vëllai tha këqyr diç atje është duke ardhur teposhtë, dhe pasi e kam vërtetuar se është njeri, kam ngarë teposhtë duke e përcjellë kufomën, për fat ishin kanë zhytësit në Lepenc dhe u kam thënë ‘qe ku është, qe ku është’, ka dal njëri ia ngjiti e ka ndal. Pastaj jam kthyer me ardhur në shtëpi me marrë një qebe me mbuluar kufomën”, tha Ragipi.

Lexo po ashtu Në Lepenc, gjendet trupi i pajetë i policit Armend Trena

Ata tregojnë se kanë dal çdo ditë për të shikuar në lumin Lepenc, në kërkim të trupave të dy policëve.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka deklaruar pas gjetjes së trupit të pajetë edhe të policit të dytë të zhdukur Armend Trena, se vetura e policëve pas ekspertizës së bërë ka dalë të jetë në gjendje të rregullt.

Kurse, Arsim Gërxhaliu, nga Institutin i Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se nesër pritet të bëhet autopsia e policit Armend Trena. Ndërsa tha se gjetja e dy policëve në gjendje të mirë që nga zhdukja e tyre më 28 prill është si rezultat i temperaturave të ulëta të ujit në lumin Lepenc./Telegrafi/