Site icon Telegrafi

Rrëfimi i Berat Gjimshitit për vitin më të mirë në jetën e tij: Ndeshje të mëdha në Ligën e Kampionëve, përballje me gjigantët e futbollit, lindja djalit dhe suksesi i madh me Kombëtare shqiptare

Në futboll duhet të luftosh shumë, të mos dorëzohesh asnjëherë përkundër sa shumë rrëzohesh.

Berat Gjimshiti është shembulli më i mirë se si pas disa periudhave të vështira, ka arritur të ngritët përsëri dhe tani vlerësohet si mbrojtësi më i mirë shqiptarë, por edhe një nga më të vlerësuarit në Serie A.

Mbrojtësi shqiptar njihet për personalitetin e tij shumë të qetë, i edukuar, i disiplinuar dhe jashtëzakonisht punëtor i madh.

Mjafton ta mendojmë vitin 2016, kur iu bë një padrejtësi tejet e madhe nga Shqipëria, duke mos e marrë në Kampionatin Evropian, përkundër që ishte mbrojtësi më i mirë i kuqezinjve.

Dëshpërimi ishte i madh për atë padrejtësi, por dëshira për t’iu treguar se kanë gabuar ishte edhe më e madhe dhe vazhdoi, luftoi derisa sot është titullar i padiskutueshëm tek Kombëtarja e Shqipërisë.

Gjimshiti vlerësohet si njëri nga mbrojtësit më të mirë në Serie A, teksa me Atalantën është titullar i padiskutueshëm, duke arritur suksese të mëdha me zikaltërtit.

27-vjeçari nuk do ta harrojë kurrë vitin 2020, pasi për të ka qenë viti më i mirë në jetën e tij. Në aspektin profesional arriti të luaj në nivelet më të larta çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa jashtë futbollit ka marrë dhuratën më të çmuar në jetë, është bërë baba i një djali që e kanë pagëzuar me emrin Lion.

Në një intervistë për Telegrafin, Gjimshiti ka folur për vitin 2020 që e kemi lënë tanimë më pas, Atalantën, Kombëtaren e Shqipërisë, ardhjen në jetë të të birit si dhe shumë gjëra të tjera.

Berat ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për ty?

Gjimshiti: Po ishte viti më i mirë në jetë për mua, si në aspektin profesional ashtu edhe njerëzor. Një vit që nuk do ta harrojë kurrë.

Keni luajtur në nivelin më të lartë të klubeve, deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar, ndërsa edhe këtë vit keni kaluar grupet?

Gjimshiti: Të luash në çerekfinale të Ligës së Kampionëve tregon qartë se sa kam pasur rritje gjatë kësaj kohe, ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Gjithsesi jam i lumtur që edhe këtë vit kemi arritur ta kalojmë fazën e grupeve dhe jemi rritur shumë të gjithë.

Ndërkohë gjatë këtij viti keni marrë edhe dhuratën më të mirë në jetë, jeni bërë baba për herë të parë, pasi në jetë ka ardhur djali juaj Lioni?

Gjimshiti: Kjo është arsyeja më e madhe që vitin 2020 e quaj vitin më të mirë në jetën time. Jam bërë baba dhe kjo është ndjenja më e bukur që mund t’i ndodh një njeriu.

Berat Gjimshiti me bashkëshortën e tij Alisën dhe djalin Lionin

Ëndërron që një ditë Lioni t’i ndjek hapat e tu, të bëhet futbollist?

Gjimshiti: Po, është ëndërr e imja kjo që të bëhet futbollist, por nuk do t’i jap presion. Do të zgjedh vet se çfarë do të bëjë kur të rritet. Rëndësi ka vetëm që ta ketë shëndetin.

Kthehemi te Atalanta, keni pasur një vit shumë të ngarkuar me shumë ndeshje, por po e cilësoni si tejet pozitiv?

Gjimshiti: Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, kemi luajtur futboll të bukur si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ishte vit i vështirë, paska i çuditshëm me pandeminë që ka kapluar botën, por në aspektin sportiv i mirë për ne, edhe pse kemi mundur të bëjmë edhe më shumë. Gjithsesi ajo që na ka munguar më së shumti ishin tifozët pasi kemi bërë ndeshje të mëdha dhe ka qenë mëkat që nuk ishin tifozët të pranishëm në shkallët e stadiumit.

Keni luajtur ndaj skuadrave të mëdha dhe lojtarëve të mëdhenj si edicionin e kaluar ashtu edhe këtë edicion në Ligën e Kampionëve, çfarë do të thotë për të kjo?

Gjimshiti: Janë emocione të mëdha kur e sheh që përballë ke klube të mëdha dhe emra të mëdhenj të futbollistëve, por janë një tregues se edhe ti ke ardhur në atë pozitë përderisa luan ndaj tyre.

Pas paraqitjeve fantastike që keni pasur me Atalantën, gjatë këtij viti shumë klube janë interesuar për ty?

Gjimshiti: Unë jam mirë te Atalanta, ka pasur interesime të mëdha, por klubi ka dashur të më mbajë dhe jam një lojtar i Atalantës. Jam i fokusuar vetëm këtu.

Përveç klubit ke pasur një vit tejet të suksesshëm edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, pasi keni fituar Grupin 4 të Divizionit C dhe keni kaluar në Divizionin B në Ligën e Kombeve?

Gjimshiti: Po mund të quhet një vit shumë i suksesshëm për Kombëtaren, pasi kemi kaluar në Divizionin B të Ligës së Kombeve. Fillimi ishte i vështirë, por në fund bëmë ndeshje fantastike dhe arritëm ta fitojmë grupin për të kaluar një rang më lartë. Kjo na jep shpresë për të ardhmen, pasi ky vit mund të quhet shumë i suksesshëm.

Pas disa vështirësive, Shqipëria ka filluar të funksionojë shumë mirë?

Gjimshiti: E vërtetë që kemi pasur vështirësi, pasi kanë ardhur lojtarë shumë të rinj dhe i është dashur kohë për tu adaptuar, por tani edhe ata janë pjekur dhe jemi duke funksionuar shumë mirë. Lojtarët me përvojë që jemi në Kombëtare dhe ata të rinj të talentuar po funksionojmë shumë mirë dhe kjo na ka pruar deri te suksesi.

Shorti për kualifikimet e kampionatit botëror është hedhur, ku Shqipëria ka një grup të vështirë me kundërshtarët si Anglia, Polonia, Hungaria, San Marino e Andorra?

Gjimshiti: Është grup shumë i vështirë, por jo i pamundur. Ne luajmë si të barabartë me të gjitha dhe duhet të provojmë shanset tona. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë edhe lojtarët e rinj për tu pjekur më shumë pasi unë vetëm se jam mësuar të luaj ndaj kundërshtarëve të mëdhenj. Gjithsesi ne duhet të futemi në fushë për të dhënë maksimumin.

A duhet të presim kualifikimin?

Gjimshiti: Nuk është i lehtë, por thash se duhet të futemi të bashkuar në lojë dhe të japim maksimumin, pastaj shohim se çfarë do të ndodh.

Cili është shoku juaj më i mirë te Kombëtarja e Shqipërisë?

Gjimshiti: Në Kombëtare nuk mund t’i dalloj cili është shoku më i mirë, pasi të gjithë i kam shokë të ngushtë dhe kaloj shumë mirë me gjithsecilin.

Po te Atalanta?

Gjimshiti: Kohën më të madhe te Atalanta e kaloj me Remo Freuler. Kemi ardhur për një dit në klub dhe njihemi prej vitesh pasi kemi luajtur së bashku edhe për Përfaqësuesen e Zvicrës U21.

Cila është ndeshja më e mirë në karrierë ?

Gjimshiti: Kam pasur shumë ndeshje dhe nuk e di për cilën të them, por më e bukura është ajo ndaj Interit kur fituam 4-1, ku edhe shënova golin tim të parë në Serie A.

Por ajo jo më e mira?

Gjimshiti: Jo më e mira ndoshta ajo me Kombëtaren e Shqipërisë, kundër Izraelit. Jam ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 20-të.

Je përballur me sulmues të mëdhenj gjatë karrierës tënde, cili ka qenë më i vështiri për tu markuar?

Gjimshiti: Jam përballur me shumë sulmues të mëdhenj si Aguero, Ronaldo, Neymar apo Immobile që kanë qenë të papërshtatshëm dhe nuk e di se cilin ta zgjedh si më të vështirin.

Cili është mbrojtësi që ke pasur model dhe të ka inspiruar?

Gjimshiti: Sergio Ramos më ka inspiruar gjithmonë për dëshirën e madhe dhe shpirtin luftarak që ka në fushë. Është një luftëtar.

Tani do ta keni kundërshtar në Ligën e Kampionëve, a do t’ia kërkoni fanellën pas ndeshjes?

Gjimshiti: Qëllimi im është ta mposhti në fushë, ndërsa sa i përket fanellës nuk e di, nuk besoj se do t’ia kërkojë.

Zvicër, Shqipëri, Itali apo Kosovë, ku ndiheni më mirë pasi jetoni në katër shtete në periudha të ndryshme brenda vitit?

Gjimshiti: Në Zvicër jam rritur dhe sigurisht që aty, pasi i kam edhe prindërit. Gjithsesi më pëlqejnë të katër shtetet, pasi në Shqipëri sa herë shkoj me Kombëtaren ndjehem mirë, në Kosovë kaloj pushimet dhe kam familjarët tjerë ndërsa në Itali gjithashtu ndihem shumë mirë. Më pëlqejnë të katër shtetet për të jetuar. /Telegrafi/

Exit mobile version