Aktorja që bëri të shpërthente skandali shkatërrues i Harvey Weinstein, Ashley Judd, rrëfen edhe pjesën tjetër të të vërtetës së përballjes me të.
Nuk ishte fjala thjesht për ngacmim, por ajo druhej se producenti do ta përdhunonte, e për këtë arsye u detyrua, siç ka thënë, të bënte një lloj pakti me të.
Dy dekada më parë, asokohe një aktore e re në fillim të karrierës, Judd ishte ftuar në suitën e Weinsteinit gjoja për një takim biznesi. E pamësuar me situatën ajo shkoi, vetëm që të gjendej përballë kërkesës për t’i bërë masazh.
Pas refuzimit, ai tentoi të hidhej në veprim, por aktorja tregon se në atë moment mendoi se do të arrinte të largohej, duke e bindur se do të flinte me të nëse do ta fitonte një çmim Oscar në njërin prej filmave të tij.
Producenti i kishte thënë: “Një nominim për Oscar!”. “Jo. Kur të marr një statujë Oscar”, ia kishte kthyer 49-vjeçarja dhe kështu ka arritur të largohej nga dhoma, transmeton Top Channel.
“Nuk jam krenare për atë që bëra, por nga ana tjetër arrita të largohem prej andej dhe kaq më duhej në ato momente”, ka treguar ajo.
Nuk e pati të njëjtin fat aktorja italo-amerikane e “The Sopranos”, Annabella Sciorra, e cila ka thënë për The New Yorker se Weinstein e kishte përdhunuar në vitin 1992 brenda apartamentit të saj.
Ngacmimet vazhduan për disa vite, ndërsa nga turpi e frika, Sciorra nuk e raportoi incidentin në polici. Karriera iu dëmtua, kurse tre vite pas ngjarjes nuk pati më asnjë rol, sepse të gjithë e refuzonin, duket nën ndikimin e Weinstein.
Të enjten, producentin e famshëm të filmit e akuzoi për përdhunim edhe aktorja norvegjeze, Natassia Malthe.
Numri i grave që e kanë vënë Weinstein me shpatulla pas muri, me akuzat për ngacmime dhe agresion seksual, ka mbërritur tashmë në 50.