Albert Bunjaku ka qenë njëri nga futbollistët e parë që iu bashkua Përfaqësueses së Kosovës në vitin 2014, pasi FIFA lejoi FFK-në për të organizuar ndeshje miqësore.
Sulmuesi gjilanas iu bashkua Kosovës me një përvojë jashtëzakonisht të madhe, pasi më parë kishte luajtur edhe në Kampionatin Botëror të vitit 2010 me Zvicrën dhe kishte disa grumbullime me helvetikët.
Bunjaku u bë lojtari i parë që shënoi gol për Kosovën pas lejimit për ndeshje miqësore nga FIFA në humbjen 1-6 nga Turqia.
Dy vite më vonë 36-vjeçari realizoi golin e parë për Kosovën pas pranimit me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
Alberti realizoi ndaj Ishujve Faroe në Frankfurt, kur Kosova më 3 qershor të viti 2016 triumfoi me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë pas pranimit me të drejta të plota në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit evropian dhe botëror.
“Është krenari për mua dhe familjen time që kam shënuar golin e parë dhe historik për Kosovën pas pranimit me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Ju po thoni se nuk do të harrohet kurrë dhe uroj që ashtu të jetë”, tha fillimisht Bunjaku duke qeshur për Telegrafin.
Por pas pranimit gjilanasi luajti vetëm tri ndeshje me Dardanët, pasi më nuk u ftua.
Grumbullimi i fundit për Bunjakun ishte tetorin e vitit 2016 në ndeshjet ndaj Kroacisë dhe Ukrainës dhe ai më nuk u ftua.
Por edhe përkundër kësaj, FFK nuk bëri kurrë një ftesë për Bunjakun që të përshëndetet nga Përfaqësuesja e Kosovës, përkundër kontributit të tij të jashtëzakonshëm.
Në një intervistë live në Telegrafi Sport në Instagram, Alberti ka deklaruar se ëndërron ende që të marrë një ftesë nga Bernard Challandes.
“Unë u largova nga Përfaqësuesja pasi erdhën lojtarë më të ri me energji më të madhe dhe e kuptova se është rritur konkurrenca në skuadër”.
“Zyrtarisht nuk jam larguar, por nuk kam marrë më ftesë që nga tetori i vitit 2016”, tha Bunjaku.
36-vjeçari luan në Bundesliga 3 me Viktoria Koln ku ka shënuar 16 gola në 26 ndeshje dhe thotë se do të ishte i gatshëm kurdoherë të vinte te Kosova.
“Kam mall shumë për Kosovën. Natyrisht nëse sot më fton Bernard Challandes vetëm të jem pjesë e grupit unë do të vija me kënaqësinë më të madhe, por do të jetë e vështirë pasi e kuptoj që ka lojtarë të ri dhe shumë të mirë aty”, tregon Bunjaku.
Gjilanasi ëndërron që të marrë një ftesë nga FFK që të pensionohet nga Përfaqësuesja e Kosovës në një ndeshje në Prishtinë.
Çuditërisht askush nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk e kanë kontaktuar për një gjë të tillë tani e katër vite lojtarin që dha kontribut jashtëzakonisht të madh për historinë e re të Kosovës.
“Do të ishte diçka speciale nëse do të më organizohej një përshëndetje nga Përfaqësuesja në Prishtinë. Tifozët e Kosovës janë më të mirët në botë dhe për mua është ëndërr të luaj një takim përshëndetës para tyre, por deri më tani nuk ka ndonjë gjë rreth kësaj dhe kjo nuk varet nga unë”, deklaroi Bunjaku.
Ish-anëtari i tetë skuadrave të ndryshme si Schaffhausen, IF Juventus, Paderborn, Erfurt, Nurnberg, Kaiserslautern, St Gallen e Erzgebirge Aue thotë se Kosova ka potencial që të shkoj në Euro 2021.
“Unë ndeshjet e Kosovës i kam parë të gjitha dhe kemi lojtarë fantastik si Vedat Muriqi, Arbër Zeneli, Milot Rashica apo Hekuran Kryeziu”.
“Kosova ka potencial shumë që të fitojë dy ndeshjet e Ligës së Kombeve për të shkruar historinë duke shkuar në evropian”, deklaroi Bunjaku.
E momentin më të mirë me fanellën e Dardanëve, Bunjaku e vlerëson atë të 3 qershorit të vitit 2016.
“Momenti më i mirë ishte kur shënova gol ndaj Ishujve Faroe në Frankfurt, ku fituam ndeshjen 2-0 në fund. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm me stadiumin plot tifozë tanë”, tha Bunjaku.
Bunjaku foli edhe për karrierën e tij sa i përket klubeve, ku momentin më të mirë thotë se e ka kaluar te Nurnbergu.
“Klubi ku kam kaluar momentet më të mira ka qenë koha te Nurnbergu, pasi arrita të luaj edhe në Bundesliga dhe më ka ecur shumë mirë”, vazhdon tutje rrëfimin e tij autori i 13 golave në elitën e futbollit gjerman Bundesliga.
E golin që e mban mend në nivel të klubeve është ai me Rot Weis Erfurt në Kupën e Gjermanisë ndaj Bayern Munich.
“Nuk do t’i harrojë kurrë dy golat e shënuar me fanellën e Erfurt ndaj Bayern Munich në Kupën e Gjermanisë”.
“Ishim duke humbur 1-2 dhe u inkuadrova në pjesën e dytë ku shënova dy gola edhe pse në fund u mposhtëm”.
“Janë dy gola që më hapën dyert për transferim te Nurnbergu dhe më dhanë emër në Gjermani”, vazhdon tutje Bunjaku.
Sa i përket të ardhmes së tij, Bunjaku ka zbuluar se do të vazhdoj edhe për një vit kontratën me Viktoria Koln, ku do të pensionohet në vitin 2021 për të vazhduar karrierën si trajner i juniorëve te kjo skuadër.
“Kontrata aktuale me klubin më skadon më 30 qershor, por agjenti im është në bisedime me klubin ta rinovojë atë edhe për një vit”.
“Qëllimi im është të përfundojë karrierën në vitin e ardhshëm dhe pastaj do të mbetëm këtu në klub si trajner i juniorëve ku kam marrë licencën B nga UEFA”, tha Bunjaku.
36-vjeçari pritet t’i jap fund karrierës së tij të bujshme 20 vjeçare në futboll, pasi ishte viti 2001 kur luajti për herë të parë në ekipin senior me skuadrën zvicerane IF Juventus.
Bunjaku ka qenë pjesë edhe e Kampionatit Botëror me Zvicrën, ku ka luajtur përkrah yjeve tjerë shqiptarë tek Kombëtarja helvetike si Valon Behramin apo Xherdan Shaqiri.
Si dy gjilanas që ishin te Kombëtarja zvicerane,Bunjaku zbulon se ka pasur momente kur kanë biseduar në gjuhën shqipe gjatë ndeshjeve me Xherdanin.
“Po ka ndodh shpesh që kemi folur shqip në ndeshje. Zakonisht me Xherdanin folshim shqip në ndeshje pasi ishim të dy në sulm”, përfundon rrëfimin e tij Albert Bunjaku.