Banorët e disa qyteteve në Turqi që u goditën nga tërmetet e fuqishme, kanë thënë se janë të shokuar dhe frikësuar.
Tulin Akkaya, që jeton në Diyarbarkir, rreth 450 kilometra në lindje të vendit ku ndodhën tërmetet, ka thënë se po tentonte të qetësohej nga tërmeti i parë kur befasisht ndodhi i dyti, transmeton Telegrafi.
“Jam shumë e frikësuar. Jam frikësuar aq shumë sepse jetoj në katin më të lartë të ndërtesës. Të kapluar nga paniku dolëm jashtë. Nuk po mund të kthehem në apartament – nuk e di se çfarë tjetër do të ndodhë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve AFP.
Epiqendra e tërmetit të parë me fuqi shkatërruese prej 7.8 ishte në afërsi të qytetit Gaziantep, derisa i dyti ishte 7.5 rreth 128 kilometra në veri në provincën Kahramanmaras.
Melisa Salman që jeton në Kahramanmaras, ka thënë se jeta në qendrën e lëkundjeve nuk është diçka e re për të, pasi është mësuar të “shkundet”, por se sot për herë të parë ka përjetuar diçka të tillë të këtyre përmasave.
“Menduam se është apokalips”, shtoi ajo për mediat ndërkombëtare dhe ato lokale.
E Halis Aktemur, një banor tjetër i Diyarbakirit, ishte ndër të parëve që arriti në vendin e ngjarjes pas shembjes së një ndërtese të madhe – duke iu bashkua të tjerë për t’i nxjerrë të mbijetuarit që kishin mbetur të ngujuar nën rrënoja.
“Kemi arritur të shpëtojmë tre persona, por dy tjerë vdiqën. Pas tërmetit të dytë, nuk po mund askund të shkojmë. Mendoj se do të kenë më akoma nevojë për ndihmën time”, shtoi ai. /Telegrafi/