Site icon Telegrafi

Rrëfim nga Srebrenica: 13 ditë kaloi në pyll, e rrethuar me të vdekur, të plagosur, pa ujë e pa ushqim

Fatima Ahmiq, është një nga personat fatlum që përmes pyllit arritën të braktisin Srebrenicën dhe të arrijnë deri te territori i lirë, Kladnja apo Tuzla. Ajo i ka mbijetuar gjenocidit të kryer mbi banorët joserbë në vitin 1995 në Srebrenicë.

Në “Rrugën e vdekjes” ishte nisur me djemtë e saj Mirsadin dhe Seadin dhe bashkëshortin Hasib. Mirsadi, i cili atëkohë ishte 19 vjeç, nuk mbijetoi. I biri Seadi ishte 17 vjeç dhe në territorin e lirë, arriti në ditën e gjashtë.

Ata kanë jetuar në Bratuncë, por shkuan në Srebrenicë si shumë banorë të Bratuncës. Fatima 13 ditë kaloi në pyll, e rrethuar me të vdekur, të plagosur, pa ujë dhe ushqim. Por, arriti t’ia dalë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), në shtëpinë në lagjen Buça Potok të Sarajevës, kujtoi atë rrugë para 21 viteve.

“U nisa me burrin dhe dy djemtë, më 11 korrik të vitit 1995. Në pritën e parë u humbëm, askush për askënd nuk dinte. Kishte të shtëna, nuk dinim se prej nga kishte të shtëna”, tregoi Fatima.

Në mesin e të vdekurve ka qëndruar e shtrirë deri në mëngjes, pastaj në mesin e të vdekurve ka kërkuar fëmijët e burrin. Nuk i gjeti aty, por ditëve në vijim nëpër pyjet rreth Srebrenicës. Në mesin e të mbijetuarve ishte ajo, një djalë dhe gjyshi. Megjithatë, një ditë shkuan për të vëzhguar situatën dhe kurrë më nuk u kthyen dhe ajo mbeti vetëm.

“Ditën e tretë apo katërt kam gjetur fëmijët dhe u ndjeva sikur kam lindur sërish. Djali i madh Mirsadi ishte në njësit dhe vetëm më fliste se shqetësohet për Seadin. Përsëri i humba. Seadin ma mori një ushtar serb nga Vlasenica. E futi në autobus dhe ai në territor të lirë erdhi në ditën e gjashtë. Burri në territorin e lirë erdhi në ditën e gjashtë, ndërsa unë pas 13 ditëve”, rrëfeu Fatima.

Djali Mirsadi është kapur në Vlasnicë dhe aty është vrarë. E gjetën në vitin 2011 në varrezën Mrshiçi (Mršići). Duke kujtuar ditën e parë pasi nga Srebrenica përmes pyllit u nisën drejt Tuzlës, Fatima tha se në orët e parë të mbrëmjes hasën në pritë.

“Kur ishim në pyll çetnikët na prerë rrugën. Na sulmuan në orët e para të mbrëmjes. Askush për askënd nuk dinte. Që kur filluan të qëllonin unë u shtriva dhe nuk u ngrita deri në mëngjes. Kam shikuar katastrofën, të gjithë të vdekur përreth meje. Pastaj fillova të kërkojë fëmijët e mi në mesin e të vdekurve. Kalova katër ditë dhe vazhdoja të kërkoja. E vetmja gjë që mund t’i dalloja ishte nga veshmbathja sepse kanë hedhur helm dhe pamja u ndryshua brenda një kohe”, theksoi Fatima.

Exit mobile version