Granit Xhaka është futbollisti shqiptar për të cilin flitet e shkruhet më së shumti aktualisht. Graniti u bë lojtari më i shtrenjtë shqiptar në histori, me kalimin tek Arsenali. Por shumë dekada më parë një futbollist me mbiemrin Xhaka ishte aktual në futbollin e Kosovës.
Bëhet fjalë për Rexhep Xhakën, njeriun që ka dhënë shumë për futbollin mitrovicas dhe me këtë edhe për futbollin kosovar.
Xhaka, tani 71-vjeçar, ka kontribuar plot 56 vjet për futbollin mitrovicas, me një shkëputje gjashtëmujore.
Fillimisht ka kontribuar si lojtar e më pas si trajner i grupmoshave të reja. Vetëm në vitin 2014, pas disa telasheve shëndetësore, Rexhep Xhaka u largua nga puna që e lidh me futbollin. Deri atë vit ishte trajner i kategorive të reja në klubin Trepça ’89, shkruan Koha Ditore.
Por emër në futboll ka bërë në klubin tjetër mitrovicas, atë me traditë më të gjatë e shumë më të pasur, Trepça. Xhaka kishte nisur me futboll në moshën 13-vjeçare, në kategoritë e reja të Trepçës.