Telegrafi

Rrëfehet Selimi, tregon detaje rreth incidentit me Bekim Haxhiun

Në seancën gjyqësore që po mbahet kundër deputetëve të Vetëvendosjes, është duke u marrë në pyetje Rexhep Selimi, i cili së bashku me Visar Ymerin, Florin Krasniqin dhe Besart Bujupin thuhet se e kanë sulmuar fizikisht deputetin Bekim Haxhiu.

Ngjarja kishte ndodhur më 28 qershor 2012 në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata ka larguar nga salla Visar Ymerin dhe Besart Bujupin pasi që konsiderohet se ata janë bashkëkryerës të veprës penale.

Selimi tha se ky rast është i motivuar politikisht dhe se ende po vazhdon të mbetet i tillë.

Ai ka kundërshtuar deklaratën e të dëmtuarit Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se është sulmuar nga deputetët e VV-së, duke thënë se krejt ajo ngjarje ka qenë konflikt verbal ashtu siç ka qenë edhe konflikti i tij me deputetin, Latif Gashi.

Sipas tij, dëshmitarët që dëshmuan për këtë ngjarje kanë qenë nën presion.

Selimi ka vazhduar të tregojë se si ka ndodhur rasti mes tij dhe Haxhiut pas seancës.

Deputeti i VV-së, Selimi tha se në drejtimin e tyre ku gjendeshin ai dhe kolegët e tij ka shkuar Bekim Haxhiu dhe se qëllimi i tij nuk ka qenë që të hyj në Kuvend, por në drejtim të tij. Ai tha se fjalët e tij nuk kanë qenë fjalë miqësie, dhe se ka kërkuar nga ai që të largohet e për këtë ai tha se mund të shihen video incizimet si provë.

Deputeti Selimi ka kërkuar nga gjykata që të mos merret si provë relevante ekspertiza ligjore që ka bërë mjeku Arsim Gërxhaliu, pasi që siç tha ai i njëjti punon me të dëmtuarin Haxhiu në të njëjtin spital dhe se i dëmtuari ka ndikuar në ekspertizë.

Në pyetjen e prokurores nëse e ka goditur deputetin Bekim Haxhiu, Rexhep Selimi është përgjigjur “JO”. /KP/