Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi do të raportojë për herë të parë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë.
Ai pritet të flasë për sigurinë në Kosovë, por nuk do të mungojnë edhe diskutimet lidhur me keqpërdorimin e mjeteve në këtë institucion, si dhe punësimin pa konkurs, shqetësime këto që janë ngritur ditë më parë nga deputetët.
Gashi u emërua në krye të AKI-së nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, më 2 shkurt të këtij viti.
Ai së fundmi mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Emërimi i tij në këtë pozitë u cilësua si politik, pasi ai ka qenë edhe pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/