Dimitri Payet ishte njëri nga futbollistët më të përfolur gjatë muajit janar.
Francezi nuk pranoi të luante me West Ham United duke kërkuar me ngulm largimin e tij nga Londra.
Pasi kanë kaluar dy muaj që iu bashkua ish-skuadrës së tij, Olympique Marseille, Payet ka dhënë edhe intervistën e parë duke shpjeguar arsyet e largimit.
“Nuk kisha dëshirë të luaja në një klub që ishte në pjesën e poshtme të Ligës Premier. West Ham luante një sistem të lojës mbrojtës dhe nuk kisha asnjë kënaqësi, luaja ndeshjet pa u zbavitur fare”, deklaroi Payet.
“Gjatë gjithë kohës kisha kontakte me Marseillen dhe me trajnerin Rudi Garcia i cili ka një filozofi të lojës që unë e njoha mirë. Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe të shpejtë pasi mund të mbetesha pa luajtur rreth gjashtë muaj”, vazhdoi tutje francezi.
Tutje ai tregon edhe se si e mori vendimin për tu larguar nga West Ham, pasi një ndeshje të fituar me rezultat minimal 1-0.
“Fituam 1-0 ndaj Hull Cityt që na goditi katër herë shtyllën. Ishin të lumtur pas ndeshjes të gjithë, por më i miri tek ne ishte shtylla që na shpëtoi”.
“Në atë moment kamë thënë se këtu nuk do të përmirësohem kurrë dhe rrezikoja të ecja mbrapa, kjo ka qenë arsyeja që kam vendosur të largohem”, deklaroi ish anëtari i Lille.
29-vjeçari shpjegon se si erdhi deri te bojkoti i ndeshjeve me West Hamin.
“E kisha paralajmëruar klubin se do të largohesha por ata nuk më morën seriozisht”.
“Trajneri Bilic e dinte dëshirën time të largimit dhe këtë ia kam thënë pas kampionatit evropian por nuk më lejuan dhe e respektova zgjedhjen e klubit deri në janar”.
“Në momentin që Marseille dërgonte ofertë zyrtare dhe West Ham e refuzoi atëherë vendosa t’i bojkotoj ndeshjet për ta arritur qëllimin tim deri në largim”.
Edhe pse kishte oferta të tjera, Payet kishte një arsye të fortë që zgjodhi rikthimin në ‘Stade Veledrome’.
“Bashkëshortja ime kërkonte me ngulm rikthimin tim në Marseille dhe natyrisht këtë vendim e kam marrë edhe për të. Nëse gjërat në familje nuk ecin si duhet atëherë nuk mund ta bëjë edhe punën time mirë. Me rikthimin në Marseille u plotësua dëshira e gjithë familjes sime por edhe tifozëve që më duan shumë”, përfundoi Payet.
Në tetë ndeshje me Marseillen, Payet ka arritur të realizoi tre gola dhe ka dhuruar dy asistime.
Ai ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me klubin më të madh francez. /Telegrafi/