Site icon Telegrafi

Rrahmani: Viti 2017, fillim i implementimit të sigurimeve shëndetësore

Me moton “Merr qëndrim kundër përbuzjes ndaj të moshuarve”, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar, ku edhe u bë prezantimi i dokumentit të OBSH-së “Strategjia dhe Plani i Veprimit për Moshim të Shëndetshëm në Evropë, 2012 – 2020” dhe i broshurës “Fakte: Keqkuptimet rreth moshimit dhe shëndetit”, i publikuar nga IKSHPK.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili tha se krijimi i mundësive që sa më shumë njerëz ta kenë jetën aktive dhe të shëndetshme në moshën e shtyrë kërkon investime në një gamë të gjerë të politikave për një pleqëri të shëndetshëm nga parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo  të transmetueshme përgjatë gjithë jetës deri te forcimi i sistemeve shëndetësore, në mënyrë që të rritet qasja e personave të moshuar në shërbimet sociale dhe shëndetësore të përballueshme dhe të cilësisë së lartë.

Më tej, Rrahmani tha se viti 2017 do të jetë viti i fillimit të implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se shënimi i kësaj dite është një moment i rëndësishëm për të ngritur shqetësim për sfidat e vazhdueshme më të cilët përballen njerëzit e moshuar.

Në anën tjetër, Shaban Kajtazi kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës kërkoi shumë më tepër vëmendje nga shoqëria kosovare për kujdes prindëror, duke theksuar kontributin e pamohuar që mosha e tretë ka dhënë në periudhën midis Luftës së II Botërore dhe luftës së UÇK-së në zhdukjen e analfabetizmit dhe ngritjen e shoqërisë kosovare.

Exit mobile version