Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, u shfaq i lumtur pas fitores si mysafir ndaj Qipros me rezultat 2-0.
Kjo fitore ua mundëson Dardanëve ta nisin perfekt në Ligën e Kombeve me tri pikë.
Kapiteni i Kosovës shpjegoi se çfarë nuk funksionoi në pjesën e parë, teksa u ndal edhe te duelet me Greqinë dhe Irlandën e Veriut, dy kundërshtarët e tjerë në Grupin 2 të Ligës C.
“Kur fiton je më i kënaqur, por nuk e filluam mirë ndeshjen. Ishim më të hapur në pjesën e parë. Në pjesën e dytë përmirësuam lëvizjet në fushë dhe ndaljen e kundërshtarëve. Jemi të lumtur”.
“Përmirësimi? Kemi pak probleme kur shkojmë në presing lart, nuk e përballojmë gjatë gjithë kohës. Duhet të gjejmë një vijë të mesit, që të nisemi në kundërsulm kur rikuperojmë topin”.
“Kemi filluar mirë në Ligën e Kombeve, tani kemi ndeshje me dy kundërshtarë më të fortë. Ndeshje shumë të vështira”, ka thënë Amir Rrahmani.
Kosova tani ka dy ndeshje në shtëpi ndaj Greqisë dhe Irlandës së Veriut. /Telegrafi/