Telegrafi

Rrahmani: Jam pro fertilizimit të asistuar vetëm për çiftet, jo për një grua 18-vjeçare të pamartuar

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, lidhur me fertilizimin e asistuar, ka thënë se e mbështet fertilizimin për një çift si burrë e grua, por jo edhe për një grua 18-vjeçare, e cila është e pamartuar dhe që e ndalon të drejtën për të njohur familjen, pasi mund të dërgojnë në incest.

Kështu është shprehur në RTV Dukagjini, ku po diskutohet projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, i njohur si IVF.

“Fertilizimi i asistuar të jetë vetëm për çiftin, burrë dhe grua e jo për një grua 18-vjeçare, e cila është e pamartuar dhe që e ia ndalon fëmijës të drejtën të njohë babain, nënën, vëllain apo motrën. Nuk mbështesim ligje të tilla që mund të dërgojnë në incest dhe do të japim angazhimin tonë derisa na lejohet neve si deputet”, është shprehur Rrahmani.

Ndërsa, deputeti Eman Rrahmani i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrit Arben Vitia për kryerjen e punëve të tyre, duke ua mundësuar çifteve që kanë probleme me shëndetin e tyre riprodhues të kryejnë IFV në institucionet publike të vendit.

Lexo po ashtu Ferizi: S’mund ta ndalni fertilizimin e asistuar, po manipulohet në kurriz të grave

“Fertilizimi mund të ndodhë në Institucione Publike. Nuk ka pasur vullnet nga Qeveritë e kaluara prej më shumë se dhjetë vite prej kur ekziston udhëzimi administrative. Nuk ka vullnet, as nuk ka pasur vullnet  dhe nuk është duke vazhduar të ketë vullnet edhe nga  kjo qeverisje për këto tri vite. Për çiftet që kanë problem për fertilizim, ta kryejnë këtë shërbim me kosto zero në Institucione Publike”.

“Ministri me angazhimin e tij dhe investimet të cilat duhen, që ta bëjë  në Institucionet publike mirëpo arsyetimi i mungesës së ligjit është thjeshtë sa për të shpenzu debatet publike apo për t’u arsyetuar për mos investime të cilat  kanë mundur. Natyrisht bashkë me 10 deputetë të tjerë të cilët i kemi paraqitur këto amandamente, e mbështesim fertilizimin e asistuar tek çiftet dhe i bëjmë thirrje ministrit Vitia të i kryejë këto punët dhe detyrat  e tyre për të mundësuar çifteve që këto procedura të kryhen në Institucione Publike. Ku duhet ndërtuar dhe janë mjete të qytetarëve dhe duhet investuar, duke mos dhënë para në institucione private”, është shprehur Rrahmani.