Dr. Driton Haziri,
Kardiolog
tel. 044 312 189
Takikardia është term mjekësor për rrahjet e shpejta të zemrës mbi 100 rrahje në minutë; mund të fillojë në dhomat e poshtme të zemrës (ventrikuj) ose në dhomat e sipërme (atriume). Me këtë ritëm të shpejtë zemra nuk është në gjendje të pompojë në mënyrë efikase gjakun e pasur me oksigjen në trup.
Ritmi i zemrës kontrollohet nga një stimulues kardiak natyral (nyja sinoatriale) e cila gjendet në dhomën e sipërme të djathtë (atrium). Nyja sinoatriale dërgon sinjale elektrike që normalisht të fillojë çdo rrahje zemre. Këto sinjale elektrike lëvizin nëpër atriume duke bërë që muskujt e zemrës të shtrëngohen (kontraktohen) dhe të pompojnë gjakun në barkushe (ventrikuj).
Më pas sinjalet arrijnë në një grup qelizash të quajtur nyja atrioventrikulare ku ngadalësohet për një pjesë të sekondës; kjo vonesë e lehtë lejon që barkushet (ventrikujt) të mbushen me gjak. Pastaj sinjali përcillet në tufën e His-it, poshtë septumit ndërventrikular dhe përmes degëve të His-it dhe fibrave Purkinje përhapen impulset valore përgjatë ventrikujve, duke i bërë ato të tkurren dhe të pompojnë gjakun në mushkëri ose pjesë tjera të trupit.
Ky proces i përçimit të impulseve në zemër zakonisht shkon pa probleme, duke rezultuar me një rrahje zemre prej 60 deri në 100 rrahje në minutë.
Shkaktaret e takikardisë
Shkaktarët me natyrë kardiake janë:
▪ Infarkti i miokardit
▪ Sëmundjet iskemike të zemrës
▪ Hipertensioni
▪ Sëmundjet valvulare të zemrës,
▪ Pamjaftueshmëria e zemrës (insuficienca kardiake)
▪ Sëmundjet strukturale të zemrës (kardiomiopatit),
▪ Infeksionet (endokarditi, miokarditi)
▪ Tumoret
Shkaktarët me natyrë tjetër janë:
▪ Sëmundjet e gjëndrës tiroide
▪ Sëmundjet e mushkërive
▪ Anemia
▪ Temperatura
▪ Çrregullimi i elektroliteve
▪ Konsumimi i duhanit
▪ Abuzimi me substanca narkotike
▪ Stresi emocional
▪ Konsumimi i sasive të mëdha të pijeve alkoolike ose të kafeinës, etj.
Takikardia në bazë të origjinës së lokalizimit, ndahet në dy grupe:
1. Takikardia supraventrikulare, ku bëjnë pjesë:
• Tahikardia paroksismale supraventriculare
• Kontrakcionet atriale të parakoshme (PACs)
• Tahikardia nga rrugët akcesore
• Tahikardia atriale
• Fibrilacioni atrial
• Flateri atrial
2. Tahiakardia ventrikulare, ndahet në:
– Takikardi ventrikulare e paqëndrueshme < 30 sekonda, pa kompromitime hemodinamike. – Takikardi ventrikulare e qëndrueshme > 30 sekonda, me kompromitime hemodinamike.
Në bazë të morfologjisë tahikardite ventrikulare, ndahen në:
• Monomorfe
– Takikardi ventrikulare
– Takikardi rihyrëse me bllok të degës
– Fibrilacion ventrikular
– Flater ventrikular
• Polimorfe
– Torsade de pointes
Simptomat e takikardisë
▪ Vështirësi në frymëmarrje
▪ Marramendje
▪ Lodhje
▪ Djersitje
▪ Palpitacione
▪ Dhimbje gjoksi
▪ Humbje e vetëdijes
▪ Arrest kardiak
Diagnostikimi
Një numër i konsiderueshëm i ekzaminimeve janë të disponueshme për diagnostikimin e aritmive kardiake; është e rëndësishme të vazhdohet me një qasje hap pas hapi. Qëllimi është të arrihet një korrelacion midis simptomave, aritmisë themelore dhe te fillohet me terapinë e duhur.
Ekzaminimet rutinore te cilat kërkohen janë: analizat laboratorike, Ekg, Ekokardiografia, Ergometria (stres testi kardiak), Holter monitorimi 24-48 orësh.
Në disa raste rekomandohen ekzaminime tjera shtesë: koronarografia, studimi elektrofiziologjik, etj., për të identifikuar pacientët me aritmi të shkaktuara nga iskemia ose që janë në rrezik për vdekje të papritur kardiake.
Mjekimi
Mjekimi i takikardisë është i ndryshëm dhe mjaft kompleks varësisht prej shkaktarëve, tipit të takikardisë së shkaktuar, gjendjes së përgjithshme të pacientit, sëmundjeve shoqëruese, etj.
Mjekimi mund të jetë: medikamentoz, elektrokardioverzion, ablacion, ICD, etj.
Medikamentoz – me anë barnave (B-bllokatorëve, bllokatorëve të kanaleve të Ca, antiaritmike, etj.) mbahen nën kontroll rrahjet e zemrës.
Elektrokardioverzioni – pas përgatitjeve parapake sipas protokollit me antikoagulant, mund të bëhet konvertimi i ritmit me defibrilator.
Ablacioni – është një procedurë invazive që përdorë energjinë e radiofrekuencës për të shkatërruar vatrat ne një zonë të caktuar të zemrës, te cilat shkaktojnë rrahje të shpejta dhe të parregullta të zemrës.
ICD (vendosja e baterisë) – është një pajisje e vogël me bateri e cila implantohet në gjoks për të zbuluar dhe ndaluar rrahjet e parregullta të zemrës (aritmitë). ICD monitoron vazhdimisht rrahjet e zemrës dhe jep goditje elektrike, kur është e nevojshme, për të rivendosur një ritëm të rregullt të zemrës.
Parandalimi
Ndryshimet e stilit të jetës për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës mund të ndihmojnë në parandalimin e aritmive të zemrës që mund të shkaktojnë takikardi.
▪ Zgjidhni një dietë të pasur me drithëra, fruta, perime, mish pa yndyrë.
▪ Kufizoni kripën (më pak se 5 gram në ditë), sheqerin dhe yndyrat e ngopura.
▪ Përpiquni të bëni aktivitet fizik për të paktën 30 minuta në ditë.
▪ Mbani një peshë të shëndetshme.
▪ Mbani nën kontroll presionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit.
▪ Mos konsumoni duhan.
▪ Mos konsumoni alkool.
▪ Kufizoni kafeinën.
▪ Menaxhoni stresin.
/Telegrafi/