Telegrafi

Rrahje në darkën e fundvitit të “Prishtina Parking”

Foto: Ilustrim

Një rrahje mes dy punëtorëve të “Prishtina Parking” ka ndodhur mbrëmë në parkingun e lokalit ku kjo ndërmarrje kishte organizuar darkën e fund vitit.

Ka qenë Kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, i cili e ka raportuar rastin në polici.

Në një përgjigje për Telegrafin, kryeshefi Sokol Havolli tha se nuk i di arsyet pse ka ndodhur rrahja.

“Dy punonjës të ndërmarrjes kanë pasur një incident. Nuk e di arsyen e zënkës. Është thirrur policia, e cila është duke u marrë me rastin”, ka deklaruar Havolli.

Havolli tutje shtoi se incidenti ka ndodhur derisa po mbahej darka e fundvitit.

Rasti është bërë i njohur edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njëri nga ta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 20.12.2022 – 23:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se pas një mosmarrëveshje është përfshirë në rrahje me viktimën mashkull kosovar. Viktima për shkak të lëndimit iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik dhe është duke u trajtuar në QKUK. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Telegrafi/