Site icon Telegrafi

Rrahje mes disa personave në rrugën Kllokot-Viti, policia në kërkim të të dyshuarve

Foto: Ilustrim

Një rrahje mes disa personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në rrugën Kllokot-Viti.

Policia njofton se rreth orës 03:20 ka pranuar informacionin për rrahjen dhe me urgjencë i është përgjigjur rastit.

“Policia ka kontaktuar me ankuesit, por nuk kanë arritur të takojnë apo identifikojnë të dyshuarit e mundshëm pasi ankuesit ishin nën ndikim të alkoolit njëri 1.63 promila dhe tjetri 0.91 promila, nuk janë intervistuar fillimisht”, thuhet në komunikatën për media.

Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për rrahje në mes dy grupeve të personave dhe si pasojë një person ka marrë lëndime të lehta trupore. I njëjti ka pranuar tretman mjekësor.

“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’. Njësitë Policore të Hetimeve Rajonale Gjilan se bashku edhe me Hetuesit e Stacionit Policor Kllokot kanë vazhduar procedurat hetimore duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë që janë në atë zonë ku dyshohet të ketë ndodhur rasti”.

“Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit e shtetit po punojnë intensivisht në grumbullimin e dëshmive lidhur me rastin dhe zbardhjen e tij, në mënyrë që të dyshuarit të vihen para organeve të drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version