Gjatë të hënës Dega në Podujevë e Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka caktuar 20 ditë paraburgim të pandehurit M.R nga Podujevë pasi dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Në komunikatën e Gjykatës Themelore thuhet është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore për përcaktimin e një mase të tillë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Podujevë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.R. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par 1 të KPRK-së. Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par.1 nën par. 1.1, e 1.2, pika 1.2.3 të KPP-së kundër të pandehurit M.R. dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) ditësh”, thuhet ën komunikatën e Gjykatës.
Vendimi është marrë pasi gjykata ka konstatuar se i pandehuri mund të përsërisë veprën penale dhe të suhtrojë përsëri dhunë fizike e psikike ndaj bashkëshortes së tij.
“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që po të gjendet në liri i pandehuri M.R. mund të përsëris veprën penale duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, e cila vepër penale dyshohet se është kryer në ambiente familjare në prezencë të fëmijëve të tyre dhe anëtarëve tjerë të familjes duke krijuar shqetësime për fëmijët që mund të kenë pasoja psikologjike për të ardhmen e tyre. Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/