Site icon Telegrafi

Rrahën Ledri Vulën, nuk dalin para gjykatës (Video)

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ishte paraparë të mbahej seanca në të cilën të akuzuar janë Gazmend Mirena dhe Krenar Çoçaj, ndërsa palë e dëmtuar është Ledri Vula.

Në bazë të aktakuzës, Mirena dhe Çoçaj akuzohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” ndaj Ledri Vulës.

Asdren Hoxha – avokati i të akuzuarit Gazmend Mirena, tha se seanca nuk u mbajt për arsye se njëri nga të akuzuarit por edhe pala e dëmtuar nuk u paraqitën në gjykatë.

“Sot është planifikuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor, mirëpo kjo është pamundësuar shkaku i mosardhjes së palës së dëmtuar, për të cilin u konstatua se nuk është pranuar ftesa me rregull, e as përfaqësuesit të palës së dëmtuar, njëherësh edhe i mbrojturi tjetër që është në bashkëkryerje nuk është paraqitur në gjykatë, shkaku që ai është në arrest shtëpiak dhe kjo kryetare e trupit gjykues nuk e ka ditur që ai është në arrest shtëpiak me vendimin e caktuar nga një gjyqtare tjetër e kësaj gjykate”, tha Hoxha, transmeton kallxo.com.

Avokati Hoxha tha se këto mungesa janë të arsyetuara.

“Mendoj që të dy me arsye nuk janë paraqitur, sepse njëri ka qenë në arrest shtëpiak ndërsa tjetri nuk ka pasur ftesë”, tha Hoxha.

Në seancën e mbajtur më 20 tetor të vitit të kaluar avokatët e Krenar Çoçajt dhe Gazmend Mirenës kundërshtuan aktakuzën që klientët e tyre i ngarkon me veprën penale shkaktim i lëndimit të lehtë trupor.

Aktakuza e hartuar nga prokurorja Besa Limani përmban informacionin se natën e 7 qershorit 2012 Gazmend Mirena dhe Krenar Çoçaj (ish i dashuri i këngëtares Dafina Zeqiri) sulmuan dhe rrahën Ledri Vulën. Sipas aktakuzës Mirena e kishte goditur Vulën me kondak të revolës ndërsa Krenar Çoçaj e kishte goditur me shufër metali.

Exit mobile version