Site icon Telegrafi

Roth: Kosova shembull pozitiv në Ballkanin Perëndimor, vendet e tjera po largohen nga vlerat evropiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Gjermani është takuar dje me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth.

Pas takimit, Roth në një postim në “X” ka thënë se Kosova është shembull inkurajues në Ballkanin Perëndimor për përkushtimin e saj për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Ai ka shtuar se Kosova meriton më shumë mbështetje, duke shtuar se vendet e tjera të Ballkanit po largohen nga këto vlera evropiane.

“Faleminderit presidentes Vjosa Osmani për një takim të mrekullueshëm. Kosova është një shembull inkurajues në Ballkanin Perëndimor për përkushtimin e saj të qartë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor po largohen nga këto vlera evropiane. Kosova meriton më shumë mbështetje”, ka shkruar Roth.

E nga Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media, bënë të ditur se Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të deputetit Roth dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces. /Telegrafi/

Exit mobile version