Në një kohë kur përmirësimi i kushteve të ambientit është bërë një nga prioritetet kryesore të institucioneve shëndetësore dhe organizatave që investojnë në zhvillim të qëndrueshëm, Spitali i Pejës po realizon një projekt të rëndësishëm që do të ndryshojë mënyrën se si e menaxhon energjinë e tij.
Ky projekt përfshin kalimin nga energjia e mazutit në energji solare dhe është një investim prej më shumë se 143 mijë dollarë nga “Rotary Club Peja”.
Ky hap është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar kushte të ajrit dhe për të mbrojtur ambientin përreth.
Për drejtuesin e Spitalit të Pejës, Fazli Shala, për Telegrafin ka thënë se ky projekt është një arritje e jashtëzakonshme dhe një hap përpara në përmirësimin e kushteve të ambientit dhe të shëndetit publik.
“Ky është një projekt inovativ për spitalin e tonë, është për herë të parë që ndodh. Deri më tani e kemi shfrytëzuar energjinë e mazutit, i cili ka ndikuar shumë për rreth ambientit, jo vetëm si institucion shëndetësor, por edhe për hapësirat dhe vendbanimet që gjenden afër spitalit. Ky është investimi më i qëlluar që është bërë deri më tani, për shkak se përveç energjisë solare do të fitojmë energji elektrike, i cili ka për ta hequr mazutin nga përdorimi dhe do të shfrytëzojmë energji solare të ripërtërishme”, tha drejtori i spitalit Shala.
Në lidhje me mbështetje dhe financimin e këtij projekti, Neshad Asllani, kryetar themelues i Rotary Club Peja, ka përshkruar rolin e rëndësishëm të këtij investimi dhe përfshirjen ndërkombëtare në këtë nismë, duke investuar me mbi 143 mijë dollarë.
“Ky është investim i ‘Rotary Club Peja’ dhe i tetë klubeve të tjera Rotary në botë, dy janë nga Japonia, një nga Amerika dhe dy janë nga Uellsi, një prej Francës, Anglisë, Suedisë, dhe klubi Rotary Peja. Përveç Rotary klubeve, i kemi edhe pesë distrikte të tjera në botë që e përkrahin këtë projekt. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ambientin, është i rëndësishëm për Spitalin e Pejës, është i rëndësishëm për lagjen, për qytetin tonë dhe në veçanti për ne si ‘rotaryan’, pasi ne po bëjmë një ndryshim, një përmirësim të jetesës për të gjithë këtu dhe po e mbrojmë pak shëndetin e punëtorëve, pacientëve, lagjes dhe të gjithëve. Pra, ky është një investim i joni i përbashkët dhe është në vlerë prej 143 mijë 202 dollarë e 75 centë”, është shprehur Asllani për Telegrafin.
Ndërsa për banorin e lagjes, Xhevdet Belegu, kjo nismë është e mirëseardhur dhe ndjen mirënjohje për gjithë kontribuuesit, pasi kjo gjë sipas tij do të rritë përmirësimin e kushteve të ajrit në këtë zonë.
“Rotary Club Peja, faleminderit pa masë për investimin që janë duke e bërë. Peja si Pejë e meriton ta ketë ajrin e pastër, jo një ajër kanceroz siç është mazuti, siç ka prodhuar mazuti me vite e vite në këtë lagje, lagjja e cila ka qenë më e kërcënuara prej saj”, ka përfunduar qytetari.
Ky projekt i Spitalit të Pejës, i mbështetur nga Rotary klube dhe donatorë të tjerë, është një shembull i shkëlqyer i përpjekjeve ndërkombëtare për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të mbrojtur ambientin.
Kalimi në energji solare është një hap i rëndësishëm që do të sjellë përfitime të mëdha për komunitetin, duke ofruar një ajër më të pastër dhe duke kontribuar në një të ardhme më të shëndetshme dhe të qëndrueshme për të gjithë.