Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2016-të, kaloi edhe nga këmbët e tij.
Tashmë që ëndrra është bërë realitet me kombëtaren kuqezi që do ta marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian, Odise Roshi po shfrytëzon momentin dhe është gati të shkruajë historinë me përfaqësuesen shqiptare në Francë.
“Do të kisha dëshirë t’i krosoj në të tre ndeshjet ato topa, por kemi 3 ndeshje të vështira. Ajo me Zvicrën do të jetë më e rëndësishmja pasi po morëm 3 pikët në atë sfidë kemi shanse të mira për të kaluar më tej”, ka thënë Roshi.
Ky sezon i tij te Rijeka nuk ka qenë ndër më të mirët në karrierë, por tani që është në Kombëtare, Roshi e ndjen se duhet të japë gjithçka për kuqezinjtë.
“Në çdo stërvitje duhet të japim 100 për qind, normale që emocione do të kemi sepse tashmë e kemi realizuar ëndrrën, e kemi prekur me dorë. Po stërvitemi mirë dhe do të japim maksimumin në miqësoret ndaj Katarit dhe Ukrainës përpara ndeshjes ndaj Zvicrës”, është shprehur Roshi.
Duhen ende dhe dy javë nga starti i kampionatit, por lojtarët në mendjen e tyre kanë filluar tashmë të bëjnë llogaritë e pikëve. Në ndryshim nga Gashi, Roshi është i kënaqur dhe me minimumin që të jep kalimin në raundin tjetër, transmeton Supersport.
“Unë do të isha i kënaqur me 6 pikë por edhe me 4 pikë besoj se e kalojmë grupin”, është shprehur anësori i kuqezinjve.
Humori në një grumbullim është i rëndësishëm dhe Roshi është nga ata lojtarë që i jep rëndësi harmonisë në skuadër.
“Duhet të kesh harmoni në ekip. Unë përpiqem shumë që të kemi harmoninë e duhur në ekip dhe më pëlqen të bëj humor”, ka thënë Roshi.
Por cili është lojtari më serioz i ekipit ka treguar Roshi.
“Ai që qesh më pak është Shehi, dmth Orgesi qesh, por është serioz”, ka përfunduar ai.