Wayne Rooney beson se Arsenali duhet të tentojë dhe të ‘rrëmbejë’ sulmuesin Jean-Philippe Mateta të Crystal Palace, për të cilin interesim ka shprehur edhe Manchester United.
27-vjeçari është lidhur me një kalim në ‘Old Trafford’ pas formës fantastike që po kalon këtë sezon në Ligën Premier.
I transferuar nga Mainz në vitin 2022, Mateta shijoi dy sezone jo aq të mira në ‘Selhurst Park’, por ka shkëlqyer në dy edicionet e fundit duke realizuar 34 gola në të gjitha garat.
Ishte raportuar javën e kaluar se Manchester United ka hapur bisedimet për transferimin e Matetas, i cili besohet se është i hapur për t’u bërë pjesë e ‘Djajve të Kuq’.
Legjenda e United dhe Anglisë, Wayne Rooney është një admirues i madh i Matetas dhe beson se ai është një lojtar të cilin Arsenali duhet ta përcjellë pas problemeve në sulm këtë sezon.
Pasi dështuan të nënshkruajnë me një sulmues gjatë afatit kalimtar të janarit, Arsenali ra nga forma duke bërë që Liverpooli të kryesojë me 15 pikë më shumë në Ligën Premier.
Arteta pritet që ta sjellë një sulmues të ri këtë verë dhe Rooney insiston se francezi Mateta do t’i ndihmonte ata.
“Jean-Philippe Mateta është një djalosh i madh dhe i fortë, i cili shënon shumë gola”.
“Pasi e kam ndjekur Arsenalin në ndeshjet e fundit në Ligën Premier, ata kanë dërguar shumë topa brenda zonës pa pasur dikë që t’i çojë në rrjetë. Jam i sigurt se ai do të ndihmonte në këtë drejtim”, ka thënë Rooney.
Pavarësisht statistikave mbresëlënëse këtë sezon, Mateta mund të shitet vetëm për 40 milionë euro sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare./Telegrafi/